E turpshme! Kuvendi fshin seancën me studiuesin Agron Tufa mbi krimet e komunizmit

Ditën e enjte, Kryesia e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste mori vendimin për të hequr nga rendi i ditës i seancës plenare raportimin vjetor të kryetarit të Institutit për Studimin e Pasojave të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa.

Argumenti i socialistëve për ndryshimin e këtij rendi dite ishte se Grupi Parlamentar kishte dëshirë të jepte propozime për ndryshimin e projektrezolutës, shkruan Panorama.

REZOLUTA

Ndonëse që prej datës 1 prill ka filluar një debat i ashpër kundër Agron Tufës, drejtuesi i Institutit për Studimin e Pasojave të Krimeve të Komunizmit, Komisioni i Ligjeve ka miratuar një rezolutë për këtë institucion, që në kontekstin e saj është pozitive. Rezoluta e miratuar nga Komisioni i Ligjeve vlerëson rolin e institucionit për vitin 2018 dhe jep rekomandime për përmirësimin e punës edhe për vitin 2019.

Debati ka nisur për shkak të një libri të botuar nga Instituti, ku flet për krime të bëra gjatë periudhës së Luftës Nacional-Çlirimtare nga komunistët, që drejtonin kryesisht formacionet partizane. Por Komisioni i Ligjeve, në rezolutën e miratuar vlerëson betimet e bëra nga Instituti përgjatë vitit 2018, duke krijuar edhe një përplasje në mendime.

“Kuvendi i Shqipërisë vlerëson veprimtarinë e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit gjatë vitit 2018 në drejtim të konsolidimit të aktivitetit nëpërmjet projekteve informuese dhe botimit, promovimit dhe shpërndarjes të librave të rinj ku përfshihen studime shkencore, albume, botime dokumentuese, memuare, letërsi publicistike, botime historike si dhe fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist; Organizimit të një serie leksionesh dhe bisedash me karakter informues dhe sensibilizues mbi dramën e komunizmit dhe pasojat në realitetin e sotëm, me nxënësit e shkollave të të gjitha niveleve të arsimit publik dhe jopublik, zgjerimit të bashkëpunimit me institucionet vendëse, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ku veçojmë pranimin e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri si anëtar në rrjetin ndërkombëtar të institucioneve të kujtesës”, thuhet ndër të tjera në rezolutën e miratuar nga Komisioni i Ligjeve.

PËRPLASJA

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve të datës 1 prill u shqyrtua kjo rezolutë. Në këtë mbledhje shpërtheu edhe përplasja publike ndërmjet deputetit Spartak Braho dhe kreut të ISSK-së, Agron Tufa.

Deputeti Braho kërkoi në këtë mbledhje edhe shkarkimin e Agron Tufës, me argumentin se ai po përbalt Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Por këtë qëndrim të Brahos e ka hedhur poshtë edhe relatori i rezolutës, deputeti socialist Adnor Shameti.

Për këtë çështje, ai ka theksuar se: “Faleminderit, zoti kryetar! Dua të shpreh mirëkuptimin e plotë për të gjitha gjetjet e zonjës Hysi në draftin e paraqitur për miratim në Komisionin e Ligjeve. Do të kërkoja që në variantin përfundimtar të pasqyrohen të gjitha gjetjet e rekomanduara nga zonja Hysi, pasi i shoh me vend dhe mendoj se e bëjnë më të plotë draftin përfundimtar të kësaj projektrezolute. Për të gjitha gjetjet individuale të zotit Braho, nuk dua të bëj asnjë koment, por mendoj të mos pasqyrohen në draftin përfundimtar të kësaj rezolute”. Por me lëvizjen e fundit të bërë nga ana e Kryesisë së PS-së, pritet që ky draft i miratuar të ndryshojë.

REZOLUTA PËR VITIN 2018

Kuvendi i Shqipërisë, Duke vlerësuar rolin e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në studimin, analizimin dhe informimin e publikut në lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri;

Duke njohur bashkëpunimin e këtij Instituti me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore dhe institucione të tjera vendase e të huaja për shkëmbimin e informacionit e të përvojës, lidhur me objektin e punës së institutit;

Duke konsideruar se studimet objektive dhe depërtimi i tyre te publiku kërkojnë mbështetjen e organeve shtetërore, medias, shoqërisë civile dhe partnerëve,në funksion të ruajtjes së kujtesës tonë kolektive; Vlerëson veprimtarinë e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit gjatë vitit 2018 në drejtim të:

Konsolidimit të aktivitetit nëpërmjet projekteve informuese dhe botimit, promovimit dhe shpërndarjes të librave të rinj ku përfshihen studime shkencore, albume, botime dokumentuese, memuare, letërsi publicistike, botime historike si dhe fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist.

Organizimit të një serie leksionesh dhe bisedash me karakter informues dhe sensibilizues mbi dramën e komunizmit dhe pasojat në realitetin e sotëm, me nxënësit e shkollave të të gjitha niveleve të arsimit publik dhe jopublik.

Krijimit të arkivës audio-vizuale të dëshmive të ish të përndjekurve politikë me qëllim evidentimin e krimeve të komunizmit përmes rrëfimit të të mbijetuarve, si dhe krijimit të një arkiv materiale me artifakte dhe çdo gjurmë tjetër të trashëgimisë materiale komuniste.

Përpunimit të dokumenteve elektronike dhe realizimit të video-regjistrimeve me dëshmi të të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet e regjimit komunist.

Realizimit të filmit të parë dokumentar në 3D “Kampi i Tepelenës”, në kuadër të projekteve informuesesensibilizuese, i cili i paraprin ciklit të muzeve virtualë të burgjeve dhe kampeve në Shqipërinë komuniste.

Zgjerimit të bashkëpunimit me institucionet vendase, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ku veçojmë pranimin e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri si anëtar në rrjetin ndërkombëtar të institucioneve të kujtesës.

Agron Tufa i kërkoi Ruçit të marrë masa ndaj Brahos

Në tryezën e datës 12 prill të organizuar nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, me krerët e institucioneve të pavarura që raportojnë në Kuvend, ku i pranishëm ishte edhe Tufa, ky i fundit kërkoi nga Ruçi që të marrë masa ndaj deputetit Braho.

Ai ngriti shqetësimin për deklaratën e bërë disa ditë më parë në Komisionin e Ligjeve nga deputeti Spartak Braho, i cili kërkoi shkarkimin e Tufës.

“Unë doja, zoti kryetar, që këtij deputeti, konkretisht për zotin Braho, t’i tërhiqet vërejtje. Sepse unë mendoj se një deputeti nuk mund t’i hiqet vërejtje vetëm për sherre në sallën e Parlamentit, por edhe kur fyen, kërcënon dhe shantazhon”, deklaroi Tufa.