Kukësi fitoi duelin e parë me Skënderbeun, Gjoka: Kualifikimi vendoset në Korçë

Trajneri i Kukësi, Ernest Gjoka, ka dhënë këtë intervistë për emisionin “ Gol pas Goli” në Supersport pas ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku verilindorët fituan 2-1 ndaj Skënderbeut.

Fitore, por edhe mërzitje për atë gol të pësuar…

Nuk duhet të kishim bërë atë gabim, në fakt, por më pëlqen që skuadra më përgjigjet në fushë dhe luan mirë. Kualifikimi do të vendoset në Korçë, ku do të na duhet të shtrëngohemi shumë.

Çfarë i ndryshuat Kukësit në kaq pak kohë?

Unë u prita mirë në skuadër dhe lojtarët u vunë menjëherë në dispozicion për të bërë më të mirën. Kam në ekip djem që dinë të luajnë futboll dhe të kuptojnë idetë, ndaj kemi arritur të bëjmë mirë.

Si është situata me të dëmtuarit?

Po presim rikthimin e Shametit, ndërsa po vlerësojmë edhe gjendjen e Ramës, nëse ka nevojë për operacion apo jo. Pjesa tjetër e kanë mbyllur sezonin, ndaj duhet t’i bëjmë llogaritë pa ta.