Sot luhen gjysmëfinalet e para, Kupa ‘shpëtimi’ i sezonit

Ditën e sotme në orën 16:00 do të luhen dy sfidat e para të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, ku fati i goglave ka vendosur një rivalitet të madh ndërmjet skuadrave.

Kukësi-Skënderbeu

Në Kamzë zbresin në fushë Kukësi dhe Skënderbeu në përballjen ku kërkohet të “shpëtohet” sezoni ndërsa të dy skuadrat do të tentojnë të marrin suksesin në turneun e dytë më të rëndësishëm kombëtar.

Kështu zyrtarisht, Kukësi do të vuajë mungesën e Shametit, Ramës, Maliqit, Krasniqit dhe Dzaria të cilët janë të dëmtuar, ndërsa Melo është i pezulluar.

Orges Shehi pritet të ketë të gatshëm Muzakën, ndërkohë që mungesat në kampin korcar janë ato të Shqiprim Taipit dhe Bruno Lulajt.

Luftëtari-Tirana

Ndërsa në Gjirokastër Luftëtari pret Tiranën në një duel që shtrihet “ethshëm” edhe në garën për mbijetesë.

Vetëm një humbje në 7 ndeshjet e fundit mes Kupës dhe kampionatit, Luftëtari është skuadra më në formë e Superiores dhe vjen me frymën e duhur në këtë duel që vendos vërtet shumë.

Tirana e Ardian Memës vjen pas një shuplake të hidhur. Luan, krijon, shpërdoron, ndonjëherë fiton, por edhe humbet atëherë kur nuk duhet. Ndaj Kukësit kishte mundësinë të fitonte një dozë vendimtare oksigjeni për mbijetesën, por u mund në shtëpi.