Ish-ushtari britanik i UÇK-së kërkon mësues: Turp për mua dhe ofendim për Kosovën nëse s’di shqip

Ish-ushtari britanik i UÇK-së, Jon Harrison, ka pranuar se nuk e di gjuhën shqipe. Madje kjo gjë nuk i pëlqen dhe ka nisur punën për kërkimin e një mësuesi të shqipes në qytetin ku jeton, Shrewsbury Telford, Uells

“A ka ndonjë shqiptar afër Shrewsbury Telford, Uells, që mund të më mbajë orë mësimi të gjuhës shqipe. Jam i gatshëm të paguaj”, shkruan Harrison në Facebook.

Harrison thotë se mos-njohja e gjuhës shqipe, edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës, është “turp” për të dhe “ofendim” për gjithë Kosovën.

“Mendoj se pas 20 vjetësh, të mos jem të gjendje të flas gjuhën, është turp për mua dhe ofendim për gjithë Kosovën”, deklaroi Harrison.

Kujtojmë se para disa vitesh, Komuna e Prizrenit kishte vendosur që njërës prej rrugëve të saj t’ia vë emrin e Jon Harrisonit.

Ai ka marrë edhe certifikatën e Veteranit të UÇK-së si i angazhuar në Brigadën 138 “Agim Ramadani”.