Shehi motivon lojtarët e Skënderbeut: Kupa është ‘varka’ e shpëtimit...

Orges Shehi, po mundohet që t’u rrisë moralin lojtarëve të Skënderbeut para duelit në gjysmëfinalen e Kupës kundër Kukësit.

Trajneri ua ka bërë të qartë se kjo nuk është një ndeshje radhe, por më shumë se kaq. Trofeu i vetëm që kanë shans të marrin shihet si mundësi e artë për të mos çuar dëm krejt sezonin. Sezon, i cili ka pasur tepër oshilacione në radhët e kampionëve në fuqi, shkruan panorama. Për këtë arsye, durrsaku ka insistuar që çdo futbollist të japë më të mirën në fushë për t’i bërë ballë kundërshtarit.

“Ndeshja që kemi përpara ka një specifikë të veçantë dhe krejt ndryshe nga kampionati. Për këtë arsye duhet të gjejmë përqendrimin dhe të bëjmë më të mirën tonë. Nëse kjo përballje shkon ashtu siç ne duam, kemi shumë mundësi të arrijmë objektivin minimal të këtij sezoni që janë Kupat e Europës.

Kjo është ‘varka’ jonë e shpëtimit për të mos e çuar dëm këtë sezon që po luajmë. Kampionati nga njëra anë dhe Kupa në anën tjetër janë mënyrat e vetme që duhet të shfrytëzojmë në maksimum. Tani do të luajmë Kupën dhe të tentojmë të shkojmë deri në fund”, mësohet të ketë thënë mes të tjerash numri një i pankinës korçare.