Patozi thotë se Rama është armiku i madh i ‘Bindjes’, por shihni të vërtetën lakuriq!

Kundërshtarët e Bindjes Demokratike janë përfituesit më të mëdhenj nga ky sistem i kalbur politik, në krye të cilëve qëndron sot kryeministri Edi Rama.

Nuk është rastësi që ata na janë vërsulur në shpinë ende pa lindur, por kjo nuk na shqetëson. Përkundrazi, na motivon më shumë dhe na tregon se jemi në rrugën e duhur.

Ky është një pasazh i shkëputur nga editoriali i sotëm i Astrit Patozit, nëpërmjet të cilit përpiqet të shpjegojë, se përse u krijua partia ‘Bindja Demokratike’ dhe me kë i ka hesapet në betejat e saj.

Nëse e lexoni me kujdes këtë pasazh, kryetar-koordinatori i kësaj force politike të krijuar dhe regjistruar në gjykatë e KQZ në momentin e fundit për zgjedhjet e 30 qershorit vë re, se ai shpall ‘armikun më të madh’ të partisë së tij Edi Ramën.

 Në krye të kundërshtarëve të Bindjes Demokratike edhe ‘ende pa lindur’ qëndron kryeministri Edi Rama-thotë me kompetencë të plotë Patozi.

Por në fakt si është e vërteta e ‘sulmeve’ të Ramës ndaj kësaj partie, para, gjatë dhe pas lindjes, kohë që nuk shkon për të gjitha këto procese, as 24 orë?!

Së pari vetë Rama jo e jo, por edhe asnjë prej eksponentëve të Rilindjes e PS-së, nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë ngjarje politike, partinë e sapo krijuar dhe vetë Patozin. As të mirë e as të keqe. Dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme, veçse nëse e kanë ‘luftuar’ fshehtas për të mos kapur 4 mijë firmat e regjistrimit në një kohë që shënon rekord historik.

Pra kanë ‘heshtur’ dhe jo sulmuar, siç thotë Patozi në shkrimin e tij. Në fakt edhe ‘heshtja’ e Ramës dhe të tijve në parti nuk është ashtu si duket; ata kanë folur dhe shumë madje.

Nëse u hedh një vështrim të shpejtë mediave të pozicionuara hapur në krah të Ramës, atëherë do të shohim (shih kolazhin e fotove) se nëpërmjet tyre ai dhe çfarë përfaqëson kanë folur, shkruar dhe kanë bërtitur shumë për këtë forcë të re që ‘sulmohet’ (sipas Patozit) që në lindje nga Rilindja.

Që natën e mbrëmshme, në të gjitha panelet televizive ku u fol për këtë çështje, analistë e Rilndjes, as u përpoqën që të bënin në mënyrë më të sofistikuar alibinë e ‘fasadës’ për partinë BD, siç edhe akuzohet nga shumë zëra të opozitës, por edhe të medias. E kanë bërë dhe bëjnë hapur në kor, si të kenë marë një komandë nga i njëjti pult regjie.

Gjithashtu të gjitha mediat, TV-të dhe shumë portale të pozicionuara pro Ramës dhe Veliajt e kanë non stop krye lajm Patozin dhe krijesën e tij të shpejtë politike, me rastin e zgjedhjeve.

Madje edhe vetë editorialin e parë të tij si drejtues i parë i një force politike, këto medie e kanë botuar të plotë, pavarësisht se aty Patozi shkruan se Rama me të tijtë, i është vërsulur në shpinë që pa lindur ende!

Puna shkon deri aty, sa që editorialistë-këshilltarë të kryeministrit, këdo që ka kritikuar lëvizjen e Patozit duke e cilësuar si një shërbim për Ramën me rastin e farsës zgjedhore, janë etiketuar deri si, ‘bira kurvash’, etj.

Bëni një xhiro nëpër mediat e ‘armikut’ të Patozit (Ato të drejtuara nga Bazes, Bolino, Minxhozi, Peza, Blushi etj) dhe shiheni vetë sa shumë e lufton Rama, Astrin Patozin dhe partinë e tij!