SHBA godet ekonomikisht Iranin, ja vendimi

Përplasja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka kohë që ka nisur dhe shpesh ashpërsohet. Deri tani ka qëndruar më shumë në kuadrin e retorikës, por tani jo më.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vendosi të mos i zgjasë masat lehtësuese që iu mundësojnë importuesve të blejnë naftë nga Irani, pa u përballur me sanksionet e SHBA-së.

Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë thuhet se "Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të ndërmarrin veprime në kohë, për të siguruar plotësimin e nevojave globale kur nafta iraniane të hiqet nga tregu".

"Ky vendim synon t'i çojë eksportet e Iranit në zero, duke e privuar regjimin nga burimi kryesor i të ardhurave", thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Vendimi nënkupton që masat lehtësuese për pesë vende, përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Turqinë, nuk do të vazhdojnë pasi të skadojnë më 2 maj.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Iranin si sponsorizues të terrorizmit global.

"Do të vazhdojmë të aplikojmë presion maksimal ndaj regjimit iranian, derisa udhëheqësit e tij të ndryshojnë sjelljen shkatërruese, të respektojnë të drejtat e popullit iranian dhe të kthehen në tryezën e negociatave", tha përmes një deklarate sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Eksportet e naftës janë burimi kryesor i të ardhurave për Teheranin, i cili është goditur rëndë nga rivendosja e sanksioneve të SHBA-së, prejse kjo e fundit është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore, vitin e kaluar.

Administrata Trump shpreson të detyrojë Iranin të negociojë një "marrëveshje të re", e cila do të mbulojë jo vetëm aktivitetet e saj bërthamore, por edhe programin e raketave balistike dhe atë që zyrtarët e quajnë "sjellje e keqe" e saj në të gjithë Lindjen e Mesme.

Zyrtarët amerikanë kanë këmbëngulur se nuk po kërkojnë "ndryshim të regjimit".