Ngushtohet rrethi i ekzekutuesve të Admir Muratajt, antimafia ngrin pasuritë

Nëse dyshimet se grabitësi i parave në pistën e aeroportit të Rinasit, Admir Murataj, është vrarë nga shokët e tij, tani ato po bëhen gjithnjë e më të forta duke bërë që edhe rrethi i ekzekutuesve të mundshëm të ngushtohet.

Policia ka deklaruar se dy persona po ndiqen si bashkëpunëtorë të Muratajt në vjedhjen spektakolare të 9 prillit. I dyshuari i parë është 31-vjeçari, Klement Çala, i akuzuar për  vjedhjen e 1 milionë eurove në 2013 nga Banka Kombëtare greke e Larisës. Më pas, i arratisur nga burgu i Trikallës dhe i shpallur në kërkim në vitin 2017, si i përfshirë në grabitjen e autoblindave në Qafë-Kashar.

Ndërsa personi i dytë që rezulton deri më tani si i dyshuar nga policia, pas këqyrjes së videove të vendngjarjes është një ish komando që ka marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare të ushtrisë shqiptare.

Familjarët ishin të parët që hodhën dyshimet se, Murataj mund të jetë vrarë nga pjesëtarët e grupit të tij. Ndërkohë, pasuritë e familjes që kapin një vlerë prej 600 mijë eurosh pritet të konfiskohen me ligjin antimafia.

Prokurorëve u janë dashur më shumë se dy vite t’i verifikojnë pronat e përvetësuara nga Admir Murataj, që prej vitit 2012.

Pas kërkesës për sekuestro, pritet që këto pasuri të konfiskohen nga shteti.