‘Alizoti 2‘/ Si po fabrikohet një bandë për t'i lënë ‘në derë’ Rinasin

E paralajmëroi që ditën kur doli në konferencë duke thënë se banda e grabitjes ishte shpartalluar.

Por Sandër Lleshi, i cili luan rolin e ministrit të Brendshëm, ditën që foli për mediat nuk kishte asnjë provë në dorë, vetëm trupin e pajetë të Admir Murataj. Fakti se shteti, qeveria Rama ku ai bën pjesë ka dështuar në luftën ndaj krimit, ka bërë që ministri Lleshi të nisë ngritjen e një skeme të ngjashme me dëshmitarin ‘Alizoti’.

Por këtë herë në skemë janë të përfshirë më shumë institucione, më shumë njerëz. Gjithçka po bëhet që të shpëtohet nderi i Edi Ramës dhe qeverisjes së tij të dështuar.

Kështu, prej ditësh në Elbasan po ngrihet një skenar që po e emërtojmë ‘Alizoti 2’, ashtu si dëshmitari i fabrikuar dhe instruktuar nga policia për të shpëtuar nderin e ish-ministrit Fatmir Xhafaj.

Në Elbasan kanë zbarkuar të gjithë. Shërbimi Informativ Shtetëtor, Shërbimi Informativ i Ushtrisë, dhjetëra policë, prokurorë dhe po kërkohen ‘aktorët’ e farsës së dytë të qeverisë Rama

Në krye të kësaj skeme është pikërisht njeriu që ideoi dhe krijoi skemën ‘Alizoti’. Është Albert Nushi, nëndrejtori i policisë së Elbasanit, që më parë mbante detyrën e kreut të Policisë së Fierit.

Ka qenë pikërisht Nushi ai që instruktoi dhe fabrikoi dëshmitarin e rremë Fredi Alizoti të ‘Çështjes Babale’.

Tani është sërish shteti dhe po ky njeri që po përpiqen të ngrejnë skemën tjetër të mashtrimit, duke krijuar një ‘grup kriminal’, me persona në kërkim që do të bëhen përgjegjës për dështimin spektakolar të shtetit, grabitjen në Rinas.