Mourinho jep ‘recetën’ për të mposhtur Ajaxin

Jose Mourinho ka treguar se cila është rruga e vetme për të eliminuar Ajaxin nga Liga e Kampionëve.

Skuadra holandeze është shndërruar në sensacion këtë sezon në Ligën e Kampionëve, duke eliminuar Real Madridin dhe Juventusin.

Trajneri portugez, duke qenë analist i futbollit te “Rusia Today”, ka treguar mënyrat se si Ajaxi mund të mposhtet në Ligën e Kampionëve.

Ish-trajneri i Interit, dy sezone më parë në Ligën e Evropës kishte eliminuar Ajaxin me Manchester Unitedin.

“Ne iu dhamë atyre lojën që ata nuk donin. Ata u ankuan për ndërtimin e lojës me topa të gjatë, u ankuan për Fellainin, u ankuan për lojën fizike që ne iu dhamë dhe ata nuk e përballuan dot. Nëse luan ndaj Ajaxit në mënyrën që ata duan, do të rrezikosh, sepse ata janë më të mirë se ju”, ka deklaruar Mourinho, duke zbuluar mënyrën se si e ndali Ajaxin.

“Nëse Ajaxi luan kundër Barcelonës ose Liverpoolit në finale, nëse shkojnë në finale fillimisht, mendoj se Barcelona dhe Liverpooli do i mundin ata duke luajtur me lojën e vet. Por, nëse nuk ke kualitet në skuadër, duhet të bësh disa strategji dhe t’iu japësh atyre (Ajaxit) lojën që nuk duan”, theksoi portugezi.