Vrasja e studentes greke, flet për herë të parë shqiptari Aleksandër Luca

Kanë kaluar rreth 5 muaj nga vrasja e studentes Eleni Topaloudi në ishullin Rodos të Greqisë.

Shqiptari i përfshirë në këtë krim, ka folur nga qelia e burgut të Grevenas për televizionin ‘Star’.

Gjatë bisedës me gazetarët, 20-vjeçari shqiptar ka thënë se e di shumë mirë që bashkëpunëtori i tij grek Manolis Koukouras e akuzon për vrasjen e studentes dhe heq nga vetja peshën e përgjegjësisë.

‘Nuk më intereson se çfarë thotë greku. Unë kam avokat’, është shprehur Aleksandër Luca.

Pas deklaratës së tij, ka reaguar edhe babai i studentes së ndjerë.

‘E vërteta për ne është e qartë. Të dy bënë atë që bënë.

Nëse duan, të tregojnë kush nga të dy e goditi, kush e qëlloi me thikë, kush nga të dy e hodhi në det’, është shprehur Gianis Topaloudis.

Ka qenë data 28 Nëntor 2018 kur studentja 21-vjeçare Eleni Topaloudi u vra dhe trupi i saj u hodh në det. Ajo ka qenë me të dy djemtë në banesë dhe u dhunua e abuzua seksualisht.

21-vjeçarja ishte ende gjallë kur dy të rinjtë vendosën t’i lidhnin këmbët me litar dhe trupin e saj ta hidhnin në det.

Shqiptari Aleksandër Luca dhe bashkëpunëtori i tij grek Manolis Koukouras akuzojnë njëri-tjetrin si personin që mori vendimin për ta hedhur studenten në det. Ata ndodhen në të njëjtin burg, por nuk komunikojnë mes tyre. /tvklan