Letër Gjokë Becit...

Sa herë vija në Rrëshen ty doja të të takoja së pari. Portreti yt përherë i qeshur ma bënte ditën më të bukur dhe m’i largonte brengat e streset e kohës.

Me ty sikur jetoja poezinë.

Nga që flisje për lule, për dinjitet, për flamur, për atdhe... Isha si mes një sofre mbushur plot me libra.

Nuk e fsheh që mirditorët i doja shumë se ishe ti nga Mirdita. Te secili shihja Gjokën, te secili mendoja poetin. Edhe kur takoja ndonjë minator me vete thoja se ky është rapsod. Edhe kur përqafoja një bujk i flisja vetes, ky këndon me çifteli. Ato vite qenë plot mungesa ushqimesh dhe me privacione të shumta.

Por Rrëshenin edhe sot e mbaj mend me diell nga që të takoja ty e rrija me ty.

I dashur, po të shkruaj këto radhë se vërtet mirditorët janë si ty, por qenka njëri, Sandër Lleshi quhet, që nuk të ngjaka hiç.

Jo vetëm se nuk qesh, por nga që ata përballë tij të gjithë i duken armiq. Ai ka qenë oficer dhe u bë gjeneral, por tani si ministër nuk del dot nga paranoja e luftës.

Pandeh se protestat janë batalione me ushtarë që duhen asgjësuar. Kështu i thotë komandant Rama e ky turret t’i shfarosë. Nuk e kam në kuptimin figurativ, e kam real.

Tani në magazina ka veç gaz dhe atë iu hedh njerëzve. Të kishte bombën atomike do na zhdukte komplet. E që të mos i shkojë dëm gazi serb, se mbase era ia dërgon psh., nga liqeni, bërtet të hidhet tre-katërfishi i lejuar. Aq shumë sa nisin të lotojnë e t’u merret fryma edhe grave e fëmijëve që janë andej nga treni në punë të vet.

I dashur Gjokë, e di që ti nuk ke mundësi ta ndalosh këtë killer. Se je ngjitur atje lart, në parajsë. Dhe këto që po të shkruaj ti i di. Nga që nuk ia ndan syrin atdheut.

Po mos u brengos se unë i dua mirditorët ashtu si vite e vite më parë. Fisnikërinë e tyre nuk e prish druri i shtrembër Lleshi.

Ai do hajë kokën e vet. Sulme masive ndaj njerëzve të pambrojtur bëri veç Bin Ladeni.

E dihet si i mori jeta.

Gjok, më ka marrë malli shumë për ty. Sidomos për vargjet e zemrës tënde:

‘Po ku ka si ty, moj Shqipëria ime...’

Ti ndjeve dashuri për atdheun e shkrove me zemër.

Lleshi ndjen dashuri për Ramën ndaj shkruan me gaz helmues.

Ai do harrohet.

Ti do ngelesh mes mirditorëve si magji e fjalës atdhetari.

Ah, sa mall kam për ty, Gjokë Beci!

Shkruar per SYRI.net nga Agim Xhafka