FOTO/ Shqipëria merr një tjetër medalje në Europianin e Peshëngritjes

Krenar Shoraj i siguron një tjetër medalje Shqipërisë, atë të bronzit, në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë.

Shtangisti kuqezi u rendit i treti në stilin e shtytjes dhe i 6-ti në dygarësh për peshën 89 kg.

Shoraj e nisi miri stilin e shkëputjes, duke ngritur me sukses në provën e parë 155 kg, por nuk arriti të realizonte me sukses dy provat e tjera me 160 dhe 161 kg. Në këtë stil u rendit i 8-ti.

Kuqeziu i shtangës e nisi shumë mirë garën edhe në stilin e shtytjes, duke kaluar me sukses provën e parë me 195 kg, por nga dëshira për të fituar të artën shtoi peshën në 200 kg, duke dështuar.

Edhe në provën e tretë, me 201 kg, nuk pati forca për të mbyllur me sukses.

Në dygarësh e mbylli me 350 kg, duke zënë vendin e 6-të.

Medaljen e artë në dygarësh e fitoi armeni Mkrtchyan me 371 kg, ndërsa atë të argjendtë gjeorgjiani Davidadze me 370 kg.