Banda kush e di ku po numëron milionat, Lleshi i shpall ‘të shkatërruar’!

Duket se në gjurmët e kryeministrit, Edi Rama, në këtë vend askush nuk pranon të marrë përgjegjësi në emër të institucioneve, pavarësisht nga ndodhja e ngjarjeve të rënda si ajo e djeshmja në Rinas, ku përveç të tjerave u thye edhe siguria e të vetmit aeroport ndërkombëtar, që ka Shqipëria.

Kështu 24 orë pas grabitjes që bëri bujë në të gjithë botën, ministri i Brendshem Sander Lleshi  pasi ja hodhi krejtësisht fajin kinezëve të koncesionarit lëshoi edhe mashtrime apo më saktë broçkulla të tipit: Grupi i rrezikshëm u shkatërrua, plotësisht!

‘Falë këtij reagimi të shpejtë dhe të fortë të Policisë së Shtetit, besohet se banda kriminale, e cila ka arritur që edhe më parë të godasë transportin e vlerave monetare, drejt Rinasit apo në institucione të tjera bankare të vendit, pas humbjes së djeshme të kreut të saj, ka marrë një goditje shkatërruese, e cila po thellohet nga ora në orë, falë punës plot përkushtim që po bëhet nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit.

Shkatërrimi i këtij grupi shumë të rrezikshëm kriminal është një sinjal tjetër i rëndësishëm ndaj botës së krimit të organizuar në tërësi. Policia e Shtetit dhe gjitha organet ligj zbatuese të vendit janë të angazhuara, të gatshme, të përgatitura dhe shumë të motivuara për të neutralizuar çdo tentativë kriminale që cenon sigurinë e jetës apo të pronës’, deklaron sot Lleshi.

Në fakt të paktën deri në momentin që foli ministri, përveç kufomës së një prej grabitësve, nuk është kapur asnjë prej pjesëtarëve të bandës të cilët edhe pse vepruan në një zonë super të kontrolluar nga policia, arritën të ‘zhduken’ së bashku me shumën marramendëse të parave.

Ndërkohë që ministri i deklaronte ‘të shkatërruar’, pjesëtarët e tjerë të bandës, kushedi se ku janë duke numëruar milionat dhe qeshur me të madhe me Lleshajn.