Dhuna te 'Bregu i Lumit'/ Reagon ashpër Presidenti Meta: 'Hetim ndërhyrjes brutale të policisë ndaj qytetarëve të pambrojtur'

Presidenti Ilir Meta, ka reaguar ashpër, lidhur mbi ndërhyrjen brutale që Policia e Shtetit ka bërë ndaj banorëve të Bregut të Lumit të cilët dolën në mbrojtje të banesave të tyre.

Nëpërmjet zëdhënësit, Tedi Blushi, Presidenti Meta ka kërkuar hetim të shpejtë dhe serioz nga Prokuroria për dhunën e ushtruar nga Policia ndaj qytetarëve të pambrojtur.

“Presidenti i Republikës, i kërkon:

Avokatit të Popullit, të hetojë urgjentisht të gjitha veprimet e Policisë së Shtetit;

Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të hetojë veprimet e institucioneve shtetërore në trajtimin e rastit në fjalë;

Organit të Prokurorisë, të nisë menjëherë verifikimet përkatëse për të analizuar në detaj të gjitha veprimet arbitrare të organeve publike dhe Policisë së Shtetit, si edhe të dërgojë përpara drejtësisë të gjithë personat përgjegjës ;

Organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të hetojnë dhe të reagojnë për çdo akt dhune të panevojshëm që Policia e Shtetit dhe institucionet shtetërore kanë ushtruar sot ndaj qytetarëve të pambrojtur”, - thuhet në reagim.