Tufa: Institucionet plot me ish-sigurimsa, 519 vetëm në polici

Agron Tufa, Kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ka qenë sot në “A Show” në News24 për të folur për debatin e fundit në distancë mes tij dhe deputetit Spartak Braho pas raportit të këtij institucioni dorëzuar në Kuvend.

Ai e quajti reagimin e Brahos në Kuvend një ligjërim anormal, të një njeriu me shëndet mendor të diskutueshëm, të mbushur me shpifje e kërcënime.

Tufa tha se raporti vë alarmin se institucionet tona janë plot me ish-sigurimsa, duke numëruar 519 të tillë vetëm në polici.

Ai shtoi më tej se dhe në institucione të varësisë së Kryeministrisë ka të tillë por se janë deklaruar.

Emri i zotit Braho figuronte në një nga kapitujt e raportit të fundit?

“Emri i tij jo, por të sojit të tij figuronte. Një kapitull i tërë fliste për tejngopjen në institucionet tona, në administratën politike publike, institucionet e varura e pavarura me njerëz të sigurimit të shtetit. Një raport që është për alarmin më të madh. Këtë shtet pra, po na e drejtojnë sigurimsat. Të cilët kanë qenë policia politike përndjekëse që ka ushtruar terror, burgime, vrasje deri në gjenocid ndaj popullatës shqiptare dhe sot kanë vendin në institucionet demokratike”.

Sa i përket ish-sigurimsave në institucionet shtetërore, Agron Tufa shprehet:

“Ndonëse nuk duan t’i përgjigjen kërkesës për informacion të bazuar në ligj, institucionet tona janë plot me ish-sigurimsa. SHISH, policia e Shtetit. Unë kam numëruar 519 sigurimsa në Policinë e Shtetit. Pavarësisht se në përgjigjen e tyre ndaj kërkesës sonë refuzojnë të përgjigjen. Ka disa institucione të tjera, në varësi të Kryeministrit kanë informuar për sigurimsat e tyre në administratë. Nuk mund të abstragosh dhe të thuash nuk japim informacion për arsye sensitive, unë kërkoj diplomën e shkollës së lartë të Ministrisë së Brendshme, profili sigurim. Dihet ku kanë punuar. Ata nuk e kanë vendin në institucionet e sotme. Është një shoqëri demokratike dhe përderisa ligji e përcakton sigurimin si një polici politike. Po të hapeshin këto bëma do lemeriseshin gurë e drurë. Sigurimi i shtetit mbrohet shtetërisht. Nuk mund të hyjmë në BE me një aradhë të gjatë prej qindra e qindra sigurimsash, një pjesë e madhe e tyre kanë bërë krime”.