Tradhtoi Shqipërinë, reagon Kabashi që dikur ndihej italian: Ja kush ma shkroi letrën...

Vjen një moment në jetë që sheh rreth vetes dhe kupton që je në mesin e askundit. Mesfushori Elvis Kabashi po përjeton diçka të tillë, pasi nga një "yll" në ngjitje, karriera e tij ka përfunduar si mos më keq.

25-vjeçari shihej si një nga talentët më premtues të Juventusit, stërvitej me ekipin e parë dhe shokët e skuadrës e mbysnin në elozhe.

Kaq mjaftonte për një të ri për të fluturuar dhe aq më tepër kur ke mbrapa dhe një menaxher që të fryn në vesh, siç supozon Kabashi pas kaq kohësh.

Elvisi ka luajtur dy ndeshje me Shqipërinë U-19 dhe shënoi 1 gol. I mirëpritur dhe i respektuar nga drejtuesit e federatës tonë. Ai bëri bujë në Shqipëri dhe u vesh me epitetin "tradhtar" për shkak të refuzimit që i bëri ekipit tonë kuqezi.

Një letër në italisht në Federatën Shqiptare të Futbollit ku shkruante se nuk donte të ftohej më nga Shqipëria, pasi priste ftesën e Italisë. Kabashi ndihej më shumë italian se sa shqiptar, madje në një bisedë konfidenciale me Elseid Hysajn, të dy kanë luajtur tek Empoli, ky i fundit tregonte se durrsaku i fliste italisht në ekip.

Karriera e Kabashit jo vetëm që nuk ka shkuar drejt ngjitjes, por përkundrazi, ka shkuar poshtë dhe më poshtë. Dështime në Seria B dhe Holandë, ndërsa ka luajtur vetëm në Seria C. Gjashtë muajt e parë të këtij sezoni ka qëndruar pushim, ndërsa së fundmi ka gjetur marrëveshjen me ekipin rumun të Dinamos së Bukureshtit.

Teksa flet për “Telesport”, Kabashi tregon edhe një prapaskenë nga ajo letër e atij viti, ku refuzonte Shqipërinë.

“Unë nuk e kam refuzuar Kombëtaren shqiptare. Ishte manaxheri im, me të cilin kam akoma gjyqe për të mbyllur, ai që dërgoi atë letrën në federatë. Unë mora ftesë nga Italia dhe e refuzova, për të qenë pjesë e Shqipërisë. Unë jam shqiptar, të gjithë miqtë e mi të ngushtë janë shqiptarë. Dëshira ime ka qenë gjithmonë të luaj për Shqipërinë. Menaxherët dhe disa zgjedhje të gabuara më kanë lëne mbrapa. Kur ika nga Juventusi për herë të parë, unë doja të zgjidhja Empolin dhe jo Pescaran, ashtu siç donte manaxheri. Mbase do ishte më ndryshe për mua, sepse do kthehesha te klubi ku jam rritur. Tani çdo gjë ka kaluar, kam firmosur me një klub të madh si Dinamo e Bukureshtit. E dëgjova që ditët e para që këtu ka bërë histori një shqiptar si Sulejman Demollari. Babai im ka ardhur në Itali në vitet 90′ me anijet e para. Unë kam lindur këtu, por e ndjej veten shqiptar, kam gjak shqiptari”” – tregon Kabashi.