Justifikimi i Rudinës per shërbimet ndaj Ramës dhe Ruçit

Rudina Hajdari është në të drejtën e saj të jetë e pandershme në gjykimin politik, në tentativën për të justifikuar tradhëtinë ndaj demokratëve të Laprakës që e votuan në 25 Qershor të vitit 2017. E gjendur nën akuzë prej votuesve demokratë, se me qëndrimin e saj në parlament ajo është shëndrruar në fasadë e parlamentit të shpartalluar të Gramozit e të Edit, Rudina po ia nxjerr inatin Partisë Demokratike.

Sigurisht që kjo e fundit ka shumë faj për përzgjedhjet që ka bërë në 2017-ën sa i takon listës së kandidatëve, por sigurisht askush nuk është i zhgënjyer nga sharlatënt e tipave “që të rrasin golin” sa janë me atë, të cilës më shumë se emri i peshon rëndë mbiemri. Në tentativën për të justfikuar nderimin e të ekzekutuarve të 2 Prillit në Shkodër me mbështetjen e Gramoz Ruçit, Rudina Hajdari është kujtuar se PD ka futur dikur në gruin e vet parlamentar Kastriot Islamin dhe diçka më herët edhe Lufter Xhuvelin. A është sot e udhës ti shpjegohet Rudinës, se si Lefteri ashtu edhe Kastrioti nuk kanë firmosur urdhër për të qëlluar mbi turmën në 2 Prill ashtu si edhe Gramoz Ruçi në vitin 1991? Pyetja është a e kupton ajo diferencën?

 Por meqë deputetja Rudinë, kërkoi të bëjë krahasimin le ti vëmë faktet në kandarin e arsyes. Ajo iu përvesh PD-së edhe pse kjo e fundit vazhdon ta kafshojë gjuhën kur bëhet fjalë për vajzën e Tribunit të Demokracisë, ndërsa Rudina e ka pozicionuar veten në rolin e deputetes së kakistrokracisë. “Ata që bëjnë sikur e duan shumë të djathtën duhet të kenë parasysh se me Gramoz Ruçin dhe partinë e tij kanë 28 vjet që bëjnë politikë.

Mos të harrojnë historinë se Z. Islami që ishte Kryetar i Kuvendit Komunist e kanë bërë pjesë të grupit parlamentar”- shkruajti sot Rudina Hajdari në kudërpërgjigje të ish koleges së saj Izmira Ulqinaku e cila një ditë më parë u shpreh se ndihej e tradhëtuar kur pa se vrasësit e 2 Prillit u ftuan të mbanin 1 minut heshtje. Izmira Ulqinaku për të gjitha ata që nuk e dinë, është e mbesa e Nazmi Kryeziut, i cili sëbashku me Arben Brocin, Besnik Cekën dhe Bujar Bishanaku u qëlluan për vdekje nga forcat e policisë që asokohe drejtoheshin nga urdhërat e ish Ministrit të Brendshëm, Gramoz Ruçi. I bija e “Pishtarit të Demokracisë” përballë mbesës së “Martirit të Demokracisë”, shumë energji për tu harxhuar ende kush e urren më shumë Gramoz Ruçin.

Në fakt pyetja në këtë rast shtrohet se cila nga të dyja po i shërben Edi Ramës? Dhe këtu bëhet krahasimi mes Rudinës dhe Kastriot Islamit. Sepse sot në mënyrë sa naive, aq edhe hileqare ajo kërkon tu thotë demokratëve se dikur ata pranuan një socialist në grupin e tyre parlamentar, por harron se vetë vendosi që nga Partia Demokratike shkoi të bujtë si deputete në oborrin parlamentar të Edi Ramës. Kastriot Islami bëri krejt të kundërtën 7 vjet më parë, ndërsa e refuzoi me neveri modelin e Edi Ramës dhe koha i dha të drejtë. E megjithate ne ndryshim nga Kastriot Islami askush nuk mban mend qofte dhe nje fjalim te vetem te Rudines para apo gjate mandatit ku godet a denoncon ndonje nga skandalet e panumerta te qeverisjes se Edi Rames. Në fjalimet e saj te pakte ajo që bie në sy është se Rudina Hajdari më shumë se me qeverinë sundimtare të Edi Ramës, e ka inatin e pashpjegueshëm me partinë që e bëri deputete. Madje ajo foli dje edhe për nevojën e ndryshimit të sistemit, e bindur se nëse rregullat do të ishin ndryshe ajo vetë do të arrinte jo vetëm të fitonte si deputete, por madje edhe partinë e saj ta kishte fitimtare. E inkurajojme Rudinën ta provojë të ndërtojë një parti të sajën.

Por nëse kjo ndodh i sugjerojmë të sigurojë edhe një zëdhënës në lartësinë e detyrës, një të tillë që të mos i dridhet zëri ndërsa lexon deklarata që nuk i ka shkruar vetë.