Shoqëria Civile reagon për djegien e mandateve: Akt normal për mbajtjen e një demokracie funksionale

Shoqëria Civile e cilëson të drejtë aktin e opozitës për të djeguar mandatet e saj të deputetëve në Kuvend, duke e cilësuar këtë si një akt normal në aktualitetin shqiptar, duke shtuar se djegia e mandateve të opozitës është një akt normal për mbajtjen e një demokracie funksionale dhe sundimit të ligjit.

Reagimi vjen nga rrjeti “Zëri i Integrimit”, që është një hapësirë e lirë debati mbi Integrimin Evropian të Shqipërisë.

Përmes një deklarate publike, “Zëri i Integrimit” thekson se shoqëria në vendin tonë, aktorët politikë, ekonomikë dhe socialë, partnerët tonë strategjikë dhe shtetet me të cilat bashkëpunojmë dhe kemi marrëdhënie të mira, ashtu si dhe diaspora jonë jashtë vendit duhet të ndërgjegjësohen se Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash kushtetuese të cilat kanë bllokuar një pjesë të mirë të funksioneve të shtetit ligjor dhe demokratik, si për shembull sistemin e drejtësisë, apo dhe sistemin zgjedhor për pushtetet e ndryshme, lokale dhe qendrore.

Deklarata e plotë

Qëndrim i rrjetit të #ZëriIntegrimit mbi djegien e mandateve të opozitës dhe zgjidhjet që kemi përpara:

I.

Rrjeti i profesionistëve dhe aktivistëve të rrjetit #ZëriIntegrimit vlerëson pozitivisht veprimin e opozitës për të djegur mandatet e deputetëve, si një akt normal për mbajtjen e një demokracie funksionale dhe sundimit të ligjit.

Shoqëria në vendin tonë, aktorët politikë, ekonomikë dhe socialë, partnerët tonë strategjikë dhe shtetet me të cilat bashkëpunojmë dhe kemi marrëdhënie të mira, ashtu si dhe diaspora jonë jashtë vendit duhet të ndërgjegjësohen se Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash kushtetuese të cilat kanë bllokuar një pjesë të mirë të funksioneve të shtetit ligjor dhe demokratik, si për shembull sistemin e drejtësisë, apo dhe sistemin zgjedhor për pushtetet e ndryshme, lokale dhe qendrore.

Kjo ndërmarrje e madhe ndryshimesh kushtetuese ka sjellë një mungesë balance në ekuilibrat pushtet ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, duke përqendruar gjithnjë e më shumë pushtet, ose influencë, drejt pushtetit ekzekutiv. Pra sot Shqipëria është një vend ku për arsye objektive barra e vendim – marrjes i takon ekzekutivit, i cili dominohet nga vetëm një parti me vetëm një udhëheqës.

Historia ka treguar se sado demokratik të jetë një vend dhe sado demokratike të jetë një parti, nëse pushteti përqendrohet në mbajtësit e një ideologjie, fryme, apo përkatësie partiake, gjasat janë që shoqëria të jetë e trysnuar të uniformohet dhe mendimi ndryshe të evitohet. Kjo dukuri nuk prek vetëm politikën, por fillon dhe prek edhe ato që janë pushtete të pavarura, duke sjellë një kulturë bindjeje ndaj vetëm një drejtimi, atij “të duhurit”.

Është e domosdoshme që një demokraci funksionale të sigurojë balancën midis vullnetit të shumicës dhe sundimit të ligjeve, që në vende si Shqipëria janë shkruajtur të frymëzuara nga parime liberal – demokratike. Kështu nuk ka rëndësi se sa shumë persona mendojnë se janë në drejtimin “e duhur”, por ka edhe më shumë rëndësi nëse ky drejtim është brenda kornizës së të drejtës ligjore. Kjo edhe sepse personat, në shumicën e tyre, mund të ndryshojnë mendim disa herë, ndryshe nuk do kishim pse bënim zgjedhje.

Prandaj, duke iu rikthyer gjendjes së jashtëzakonshme që kanë krijuar reformat kushtetuese, është shumë e rëndësishme që këto të udhëhiqeshin nga një frymë konsesusi, siç u arrit me votimin nga 100% e deputetëve në Kuvend të reformës në drejtësi. Ndryshe, polarizimi krijon kushtet për instaurimin e një pushteti ekzekutiv gati absolut në vendin tonë. Kjo jo vetëm për zgjedhje të palëve, por për vetë rrjedhën natyrale të ngjarjeve.

Ky konsensus duhej të krijohej në Kuvend gjatë kësaj legjislature dhe mungesa e arritjes së tij është një humbje për të gjithë shoqërinë. Në balancën e pushteteve, edhe brenda politikës, është gjithnjë pala e fuqishme që duhet të lëshojë, ndryshe pala e dobët ka tendencën të izolohet dhe radikalizojë veprimet.

Fatkeqësisht retorika në Kuvend këto dy vitet e fundit ka qenë e përqendruar më shumë tek numrat se sa tek brendia dhe shumica ka pretenduar gjithnjë të ketë fjalën e fundit në atë që duhet të ishte një dialog konstruktiv. Ky qendrim ka devijuar edhe sjelljen e opozitës, e cila më shumë ka kërkuar gjeste rrebelimi sesa aksione të strukturuara për të sjellë ndryshim.

Gjithsesi, sot jemi përpara faktit që, rruga e integrimit duket e bllokuar, reforma në drejtësi duket e çaluar dhe angazhimi jonë në ndryshimet rajonale dhe globale në funksion të rritjes dhe sigurisë kombëtare janë gati inekzistente. Sot, edhe për shkak të kohëve sfiduese që jetojmë, Shqipëria nuk po humb asnjë tren, sepse asnjë tren nuk po kalon në rajon. Në këto kushte të disfavorshme, bëhet gati urgjente krijimi i një fryme bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv brenda shoqërisë sonë. Opozita e pati të pamundur këtë gjë në Kuvend dhe është në të drejtën e saj dhe në të mirën e shoqërisë sonë që ta kërkojë në rrugë.

II.

Ne, si rrjet profesionistësh dhe aktivistësh të #ZëriIntegrimit nuk shohim asnjë rrezik destabilizimi dhe influence nga palë të treta nga protestat e opozitës dhe djegia e mandateve, pasi në gjithë këtë periudhë nuk është regjistruar asnjë incident me përmasa të mëdha dhe duhet thënë se opozita ka qenë vetë gardiane paqësore e protestës.

Prandaj thirrja jonë për partnerët tanë strategjikë dhe vendet fqinje me të cilat kemi marrëdhënie të mira, ashtu si dhe për diasporën, është që të respektohet ky moment reflektimi në shoqërinë Shqiptare dhe mos të anatemohet asnjë nga politikanët tanë si plangprishës i proceseve pro – perëndimore, sepse në fakt elita jonë politike, përtej gabimeve të brendshme me kosto për shoqërinë tonë, në politikën e jashtme ka treguar gjithnjë një qasje propozitive ndaj elitave perëndimore, ku edhe këshillohen në çaste rreziku dhe jo vetëm.

Ndërsa thirrja jonë për partitë politike Shqiptare është e qartë, vendosja para përgjegjësisë e atyre ndërmjet tyre që janë njollosur me krim elektoral, si dhe kalimi i pushtetit në figura që janë të pranueshme për partitë e tjera politike. Tani është koha që në krye të partive të mos vendosen ato që janë më të fortë, apo më të mirë, por ato që janë më të pranueshëm nga partitë rivale, në mënyrë që të ndërtohet atmosfera e duhur për një dialog politik, tashmë jashtë Kuvendit.

Pra kërkohet marrje përgjegjësie nga strukturat e partive politike dhe jo thjesht ndjekje qorre e udhëheqësve, gjë që duhet të bëhet nëpërmjet instrumenteve të brendshme të rregullimit. Mazhoranca në këtë moment duhet të marrë përgjegjësi kombëtare dhe shmangë ato figura, që edhe pse konsiderohen të forta, në fakt krijojnë konflikt politik me opozitën, duke dobësuar shoqërinë. Mazhoranca nuk është më e rëndësishme se shoqëria Shqiptare.

Për sa më lart dhe nëse ndodh sa më lart, opozita duhet të pranojë të hyjë në zgjedhje dhe sëbashku me mazhorancën të garantojë një proces normal.

Në gjykimin tonë nuk kërkohet asnjë masë e jashtëzakonshme, përkundrazi kërkohet një sjellje normale dhe e përgjegjshme nga të gjitha palët. Sfidat që kemi përpara janë të mëdha dhe probleme gjatë rrugës do ketë gjithnjë, prandaj është e rëndësishme të punojmë të gjithë bashkë, duke çuar nga tavolina kokat e nxehta dhe duke ulur gjithnjë e më shumë ato që e meritojnë dhe që për më tepër, nuk kanë shkelur ligjin.