Vokshi: Turp të kërkosh një minutë heshtje nga ata që urdhëruan vrasjen e tyre

Seancën e djeshme plenare, deputetja Rudina Hajdari, para nisjes së fjalës së saj, ka kërkuar nga kolegët deputetët në sallë që të mbahen një minutë heshtje për vitkimat e 2 prillit.

“Në radhë të parë meqë dje ishte 2 prilli do doja të mbanin një minutë heshtje për martirët e demokracisë”, u shpreh Hajdari. 

Thirrja e saj u dëgjua nga deputetët e pranishëm në sallë të cilët u ngritën në këmbë, ndërkohë që kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha: U prehshin në paqe.

Por lidhur me këtë akt ka reaguar edhe ish deputetja e PD-së, Albana Vokshi, që e konsideron një akt të turpshëm, duke ditur që kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, atë kohë ministër i brendshëm, akuzohet si urdhëruesi i 4 vrasjeve.

Reagimi i Albana Vokshit:

TURP të kërkosh një minutë heshtje për 4 dëshmorët e demokracisë nga ata që urdhëruan vrasjen e tyre!!!

Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, martirë të demokracisë, dhanë jetën e tyre për një Shqipëri të lirë pa komunista e ish sigurima, pa vrasës e pa urdhërues vrasjesh...

Ndaj është detyre e gjithësecilit prej nesh të cojme deri ne fund amanetin e tyre.

2 prill shënoi një ndër revoltat më të mëdha popullore në vend. Pikërisht pas zgjedhjeve të marsit, edhe pse ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë disa muaj para, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë. 

Katër viktima e dhjetëra të plagosur ishin pasojat e plumbave ndaj forcave policore drejt turmës që protestonte. Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka ishin të vrarët e asaj dite, sot martirë të demokracisë.