Mourinho ‘luan me blofin’: Liverpooli eliminohet nga Porto

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga ndeshjet e para çerekfinale të Ligës së Kampionëve, trajneri Jose Mourinjo ka nisur nga parashikimet e tij në lidhje me skuadrat që sheh në turin tjetër.

Mes të tjerash, ai ka folur për takimin Porto-Liverpool, ku të dyja skuadrat i njeh shumë mirë.

Mourinho është i bindur se kjo ndeshje do të jetë një tjetër histori në krahasim me sezonin e kaluar.

Ai shprehet se Porto ka mësuar nga gabimet e sezonit të fundit dhe është e gatshme që të bëjë surprizën për të kaluar në gjysmëfinale.

“Kualifikimi është një çështje e hapur dhe ajo që ndodhi sezonin e kaluar i përket së shkuarës. Besoj se trajneri do të shohë edhe një herë ndeshjen e vjetshme dhe do t’i bëjë pyetje vetes për të mos gabuar më këtë radhë. Them se Porto do të përfitojë. E di që Liverpooli ka cilësi të mira individuale, por janë në luftë edhe për titullin kampion në Angli dhe lojtarët nuk do të jenë asnjë ditë pushim”, tha Mourinho.