Deputeti tregon se e futi në punë të riun që s'e punësonte askush: Ia jap unë 300 euro

Deputeti i AAK) Bekë Berisha ka thënë se e ka punësuar një djalë nga Vushtrria si staf personal të tij, “vetëm pse ai nuk gjente punë kurrkund”. Berisha ka rrëfyer se djali nga Vushtrria ka tri diploma por ishte refuzuar në të gjitha konkurset ku kishte aplikuar për punë.

“Ai më thirri dhe më tregoi se është me AAK-në dhe më kishte parë në debate televizive, në televizion. Më ka thirrur dhe më ka thënë që e kishin gënjyer të tjerët që i kishin premtuar punë. Për njerëzit tanë më tregonte. Tha i kam dy diploma dhe procimin e jurispudencës edhe më tha a mundesh të bësh diçka për mua?”, rrëfeu Berisha.

Deputeti i AAK-së tregoi se e ka punësuar djalin nga Vushtrria si staf personal të tij.

“Mua më vinte keq mos ta ndihmoja e të bëja si të tjerët që e kanë mashtruar. Unë i thashë që kam për ta gjetur një vend pune, por unë biznes timin nuk kam, kështu që e punësova të më rrijë afër, të më këshillojë diçka dhe i jap 300 euro prej rrogës time”, ka thënë Berisha në emisionin DPT te Fidani në T7.

Ai po ashtu ka sqaruar deklarimin e tij të para disa javësh kur pati thënë se “jashtë Kosovës nuk është më mirë se këtu”. Berisha ka thënë se Gjermania është më e zhvilluar se Kosova, por është shprehur se gjermanët e kanë zhvilluar vendin për veten e tyre, jo për të huajt.

“Gjermania është më e zhvillume se Kosova. Ata e kanë zhvilluar vendin e vet për gjermanët, jo për shqiptarët. Shqiptarët që shkojnë atje nuk janë duke bërë 'sefa”, ka thënë Berisha.