Gazetari Erl Murati në SYRI.net: Nëse opozita bojkoton zgjedhjet dhe ka presion

I ftuar në Syri.net për të komentuar situatën politike në vend, gazetari dhe analisti Erl Murati është shprehur se, si mazhoranca ashtu edhe opozita duken se janë larg arritjes së një marrëveshje, ndërsa sipas tij, faktori ndërkombëtar po qëndron neutral për momentin.

“Janë në një lojë nervash. Qëndrimi i Ramës dhe Bashës janë ekstremist të kundërta. Pika e takimit është shumë e largët. Basha thotë unë djeg mandatet, jam në rrugë nuk hyj në zgjedhje me Ramën, nga ana tjetër kemi kryeministrin Rama që nuk flet kurrë për dialog dhe thotë unë do fitoj 61 bashki”, u shpreh Murati, i petur nga gazetari Bledian Koka.

Ai shtoi se mes palëve po bëhen negociata underground.

“Komuniteti ndërkombëtar po qëndron indiferent, por negociata underground ka. Kohët e fundit Basha ka shkuar 3 herë në Berlin, ku është takuar me zyrtarë të CDU-së gjermane. Janë negociata për të gjetur një zgjidhje, pa praninë e kamerave dhe jo në publik. Po mendojnë për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja duket e largët. Jo këtë muaj ose muajin tjetër. Shumë e vështirë që Rama ti dorëzohet presionit të opozitës. Bojkoti i zgjedhjeve lokale dhe presioni i ndërkombëtarëve mund të detyrojë Ramën të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme”, deklaroi analisti dhe gazetari Erl Murati.

A po e mendon Rama zgjedhjet e parakohshme si zgjidhje dhe çfarë kostosh ka kjo për të?

“Kur të vijë ora e zgjidhjes të dyja palët do të tërhiqen. Do të kemi  diçka të mesme. Nëse ka një krizë politiko-sociale zgjedhjet e parakohshme janë normale. Ramës i intereson pushteti, edhe Bashës. Kjo është politika. Rama do të shpallë zgjedhjet e parakohshme kur dhe si do ai", u shpreh Erl Murati.