Fjalimi i Bushatit si platformë zyrtare, që shpall luftën PS- Rilindje!

Ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka flakur edhe nga gjuha zhgunin e diplomatit dhe nga foltorja e parlamentit ka lëshuar disa mesazhe të cilat nëse lexohen me kujdes, përveçse krizës që po kalon vendi u referohen më së shumti metamorfozës malinje që ka ndodhur sistematikisht brenda vetë Partisë Socialiste.

Kohët e fundit nga eksponentë të ndryshëm historikë të PS-së, (brenda, apo tashmë jashtë saj), është ngritur alarmi se kjo forcë e madhe politike është eliminuar nga ‘Rilindja’ e Edi Ramës dhe duhet të riformatohet, për t`u rikthyer në shtratin e saj. Zërave si Arta Dade, Arben Malaj, Pandeli Majko, etj, të cilët e kanë ngritur këtë shqetësim në mënyra të ndryshme, ashtu siç pritej u është bashkuar fare hapur ditën e sotme, edhe Ditmir Bushati.

Në fjalën e tij ai as që e zë në gojë ‘Rilindjen’, por përsërit vazhdimisht; Partia Socialiste, socialistë, progresistë etj. Duket se mesazhi është i qartë për vetë Edi Ramën dhe gjithë enturazhin e tij të katapultuar në parti, qeveri, pushtetin lokal e administratë, i cili nuk ka asnjë lidhje me traditën e PS-së, ideologjinë e saj dhe bazën e kësaj force politike.

Ky fjalim mund të quhet pa frikë edhe distancimi i parë zyrtar i atyre që besojnë te PS-ja tradicionale, përkundrejt sektit të ‘Rilindjes’, që ka vjelë në maksimum pushtetin e socialistëve.

Vini re çfarë thotë nga foltorja e parlamentit, Ditmir Bushati:

‘Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetë-përmbushëse. Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, ne jemi socialistë, demokratë, progresistë. Ne duam të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të mirë, për fëmijët tanë, por edhe për fëmijët e opozitës që nuk janë në sallë’.

Me pak fjalë ai u rikujton deputetëve të listës Rama dhe veçanërisht atij personalisht, se tagrin për vendime madhore që  kanë të bëjnë me vendin e kanë vetëm socialistët e vërtetë dhe askush tjetër që është maskuar si ata.

Por edhe në vijim të fjalimit të tij, ai kujdeset që t`u drejtohet me emër pikërisht atyre pak deputetëve të njohur si ‘socialistë të vjetër, e të thekur’, si Pandeli Majkos, Musa Ulqinit apo Gramoz Ruçit, duke mos denjuar të artikulojë emrin e asnjë ‘rilindësi’ dhe as të vetë Edi Ramës.

‘Ne jemi sot për sot në udhëkryq të madh. Lexova ‘Financial Times’, një prej gazetave më prestigjioze në botë. E dini me çfarë hapej në faqen e parë? Me foton selfie të kryeministrit të Maqedonisë me kryeministrin grek, për arritjen e madhe historike, pas tre dekadash. Dhe unë sot pyes, si ka mundësi Z. Ruçi, si kryetar i Kuvendit si politikan me eksperiencë, si ka mundësi Z. Ulqini, si ka mundësi Z. Majko e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë Parlament; përse kur grekët dhe maqedonasit e gjekan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi për të gjejmë gjuhën me njeri-tjetrin? A jemi të gjithë shqiptarë? A jemi pjesë e një kombi? Përse e kemi kaq të vështirë të turpërojmë veten tonë lart e poshtë? Përse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara? Çfarë do t’i themi ne sot një 30-vjeçari?’, u bën thirrje për të hapur sytë Bushati, socialistëve të paktë që kanë mbetur në atë parlament dhe jo rilindësve të Ramës.

Me fjalimin e tij duke vënë arrogancën qeveritare, një grusht njerëzish që zotërojnë gjithë pushtetin dhe pasuritë në vend (Rilindja e mistrave anonimë dhe e 4-5 biznesmenë ‘strategjikë’), përballë socialistëve progresistë që dëshirojnë; ‘një shoqëri më të drejtë, më të mirë, për fëmijët tanë, por edhe për fëmijët e opozitës që nuk janë në sallë’, Ditmir Bushati, hoqi kapakun e kazanit ‘të majtë’ që ziente prej kohësh. Ai shpalli  ‘de fakto’ luftën e PS-së kundër ‘Rilindjes’, e cila ka uzurpuar jo vetëm partinë e tyre, por gjithë pushtetet, pasuritë dhe ardhmërinë e vendit.

A ka një plan; a ka një grupim vërtet aq të fortë brenda socialistëve për ta shpëtuar partinë e tyre dhe që të paktën të shpëlajnë fytyrën e ndërgjegjen e njollosur keqas nga Rama?!

Në fund të fundit a do të ketë një aksion apo përpjekje që PS-ja të mos mbajnë mbi supe tradhtinë që i bëri ‘Rilindja’ jo vetëm Shqipërisë dhe votuesve të vetë, por edhe parimeve social-demokrate të kësaj force dhe të qindra mijë votuesve që prisnin më shumë mirëqenie për shqiptarët dhe jo për 4-5 miliarderët e majmur me prona e financa të përbashkëta?!

Është koha ajo që do ta vërtetojë, por tashmë një gjë është e sigurt; çdo ditë e më shumë Rama me krijesën e tij ‘Rilindje’, nuk ka përballë vetëm opozitën dhe shqiptarët e varfër e të dëshpëruar, por edhe një shumicë të madhe të socialistëve të ndershëm në bazë, të cilët të zhgënjyer panë, se kujt i shërbeu pushteti që i dhanë këtij kryeministri!