‘Magjia’ Messi-Suarez shpëton Barçën, Villarreal dorëzohet në fund

Ka përfunduar pa fitues por me shumë emocione dhe spektakël ndeshja mes Villarrealit dhe Barcelonës.

Edhe pse pa Lionel Messin në formacionin titullar, Barcelona ka marrë një barazim 4-4 në transfertën e vështirë kundër "nëndetses së verdhë".

Philippe Coutinho (12') dhe Malcom (16') e nisën mjaft mirë takimin duke shënuar dy gola të shpejtë për t'i dhënë avantazhin 0-2 Barcelonës.

Vendasit në minutën e 23’ arritën të ngushtonin rezultatin në 2-1.

Pjesa e dytë ishte e jashtëzakonshme për Villarrealin, që shënoi edhe tri herë të tjera.

Karl Toko Ekambi në minutën e 50’ barazoi rezultatin në 2-2, para se Vicente Iborra në minutën e 62’ të përmbyste shifrat në 3-2.

Në minutën e 80’, Villarreal shënoi edhe golin e katërt, dhe të gjithë menduan se fitorja ishte hipotekuar.

Por me Messin në fushën e lojës gjithçka bëhet “nul” madje edhe koha.

Lionel Messi në minutën e 90' realizoi një super gol nga goditja e dënimit duke ngushtuar diferencën, ndërsa për barazimin mendoi Suarez që legjitimoi festën blaugrane.