Kriza u zgjidh, kryeministri i parë grek, Cipras, viziton sot Maqedoninë e Veriut

Aleksis Cipras sot mbërrin për vizitë zyrtare në Shkup, që njëherësh është vizita e parë e një kryeministri grek që nga pavarësia e vendit, që tashmë mban emrin e ri Maqedonia e Veriut.

Qeveria në Shkup paralajmëroi se në delegacionin e homologut grek do të jenë 10 ministra nga kabineti i tij, dhjetëra afaristë, ndërsa planifikohet të nënshkruhen më shumë marrëveshje bilaterale, njofton INA.

“Fokusi gjithsesi do jetë në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, mbrojtjes dhe procesi i euroitegrimeve të vendit. Do të nënshkruhet marrëveshje edhe për hapjen e një vendkalimi të ri”, nënvizuan nga Qeveria.

Në agjendën e vizitës janë takimet me kryeministrin Zoran Zaev dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi. Ndërsa pasdite do të jenë pjesë e forumit të biznesit ku do të kenë fjalime dy kryeministrat. Vizita është cilësuar si historike edhe në SHkup, pasi që për herë të parë vjen një kryeministër grek, edhe ate përmes linjës ajrore në aeroportin i cili ndërroi emrin nga “Aleksandri i Madh” në “Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit”.

Kjo vizitë vjen pasi që dy vendet i dhanë fund kontestit disavjecar të emrit përmes firmosjes së marrëveshjes së Prespës gjatë qershorit të vitit të kaluar, ku protagonistët kryesor ishin dy kryeministrat Zaev dhe Cipras.