Basha në Koplik: Largimi i Ramës, emergjencë kombëtare! Jo më zgjedhje fasadë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi takime me qytetarët në Malësinë e Madhe. Kreu i Opozitës u takua dhe bashkëbisedoi me disa biznese të vogla në qytezën në veri të vendit, ndërsa premtoi ulje taksash dhe ndalim të largimeve nga vendi.

Bashkëbisedimet:

Tregtari Gazmend Fili: “Kemi një krizë shpirtërore. Janë duke ikur edhe familjarët, jo vetëm të rinjtë”

Lulzim Basha: Hera e parë që vij këtu tek ti. Sa kohë ke që e ke hapur këtë dyqan?

Tregtari Gazmend Fili: Që në 2010. Të punësum kam pasë para 3 viteve, por tani e largova, se s’kam me i pagu rrogat e sigurimet. Jena në një situatë që para 3 viteve, gjimnazi ka pasë 700 nxënës, sot 350. Përveç krizës së nxënësve, është edhe kriza shpirtërore. Janë duke ikur edhe familjarët, jo vetëm të rinjtë. Jam 30 vjeç, me diplomë e nuk shoh asnjë perspektivë. Situatë është e vështirë, por me ndihmën e Zotit, shpresoj të bëhet më e mira.

Basha: Me ndihmën e Zotit, por edhe me punën e njerëzve të ndershëm. Por është e vështirë, sepse tani nga 1 apo 2 taksa, paguani 5-6 taksa e tarifa. Edhe niveli i taksave është shtu. Kemi represion shtetëror mbi biznesin. E dyta, gjithçka që mund të shesim, e kanë uzurpu vetëm 2 njerëz. Gjithçka shkon në duart e këtyre dy njerëzve. me këto goditje, do ishte shkatërruar ekonomia gjermane, jo ekonomia jonë. Kjo situatë përcillet tek e gjithë ekonomia. Familjet zhyten në borxh e detyrohen të emigrojnë. Prandaj duhet çlirim, ndryshim i madh dhe ta përqafojmë të gjithë këtë ndryshim. Jo vetëm PD, por edhe biznesi i vogël, të gjithë. Ky sistem duhet shembur. Duhet shembur sistemi, pasi Rama është i rënë, ai i pari e di këtë.

Më pas Basha u takua me një bukëpjekës, ku ndër të tjera u shpreh se sfida kryesore i opozitës është ndalimi i hemorragjisë së largimeve

Bukëpjekësi: Po ecën shumë keq. Shumë njerëz kanë ikur nga Malësia e Madhe. Gjithçka ndikon tek konsumi. Plus që taksat e reja na detyrojnë që çdo ditë të largojmë punëtorët që kemi pasur. Në Koplik janë 3 bukëpjekës dhe të gjithë janë në të njëjtën situatë.

Lulzim Basha: Ne duhet të ndalim hemorragjinë e largimeve. Para një muaji e gjysëm ishim në Hot dhe atje ishte mbyllur shkolla krejt. Prindërit qanin. Dhe nuk bëhet fjalë për një vend të varfër. Vendi ynë i ka të gjitha mundësitë të mbajë popullsinë aktuale por edhe ta dyfishojë, prandaj prioritet është kthimi i rritjes ekonomike, i cili hap edhe vende pune. Kjo do të jetë një nga sfidat tona kryesore. Do keni mbështetjen tonë totale. Taksa e vetme që do paguani me qeverinë e Partisë Demokratike do të jetë 0,5 % e xhiros, taksë e përbashkët vendore dhe qendrore. Kështu që ju sdo ta keni mendjen tek rryshfeti që kërkon shteti, por do ta keni mendjen vetëm të punoni e të prosperoni.

Më tej, Basha foli para qytetarëve koplikas edhe për vendimet e fundit të opozitës.

Sipas tij opozita pati dy mundësi ose të rreshtohej krah bandës që ndodhet në pushtet ose krah njerzëve të thjeshtë, dhe djegia e mandateve provoi se ata janë me popullin e thjeshtë.

“Ai është njeri i mbaruar politikisht, regjimi i tij është i mbaruar politikisht. Beteja jonë është për ta shembur regjimin që ai ka ngritur me themel. Me Edi Ramën nuk ka zhvillim, nuk ka përprim ndaj largimi i tij është emergjencë kombëtare, është akt i domosdoshëm.  Nuk ka për të pasur Shqipëri në Europë nëse nuk largohet kjo bandë hajdutësh. Kemi pasur dy mundësi të rreshtohemi krah bandës dhe tjetra të rreshtohemi krah jush. PD e mori vendimin, dogji mandatet dhe u rreshtua krah jush. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur më”, u shpreh Basha.

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË TAKIM ME QYTETARËT E MALËSISË SË MADHE

Mirë se ju gjej vëllezër e motra, malësore e malësorë, të rinj e të reja. Faleminderit për këtë mikpritje të jashtëzakonshme në këtë orë të pazakontë, që nisi nga rinia e Malësisë së Madhe që në hyrje të Koplikut, e vazhdoi edhe në këtë ecje përgjatë rrugës kryesore të qytetit.

Së pari dua t’ju them se ju jam shumë mirënjohës për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë prej minutës së parë Lëvizjes për këtë ndryshim të madh kombëtar që po afron, për këtë rizgjim të demokracisë, të lirisë dhe të shpresës për jetë dinjitoze për çdo shqiptare e çdo shqiptar. Malësia e Madhe i ka prirë kësaj beteje, mirënjohje e falenderime për të.

Natyrisht, betejën për liri Malësia e Madhe e ka në gen. Pakkush në trojet shqiptare, dhe jo vetëm në Shqipëri, ka pagu një çmim më të lartë për lirinë njerëzore sesa Malësia, sesa burrat e Malësisë, burrat dhe gratë e kësaj treve fisnike. Edhe sot beteja jonë zhvillohet për një vlerë themelore, për vlerat e lirisë, për vlerat e demokracisë, për vlerat evropiane, pa të cilat nuk mund të ketë çelje të dyerve të Europës për Shqipërinë.

Tash 6 vjet që vijmë në mënyrë të rregullt këtu, dhe ju mirëpres një pjesë prej jush edhe në Tiranë kur kemi mundësinë të takohemi, shoh se punët shkojnë keq e më keq. Dhe për fat të keq, një nga dramat më të mëdha që përjeton Malësia, sikundër e gjithë Shqipëria, është rritja e frikshme e numrit të personave që largohen nga shtëpitë e tyre. Në emigracion shumica dërrmuese, apo në disa raste drejt qyteteve, për të kërku shanse për një jetë më të mirë. Po pse ndodh kjo? Malësia i ka pasuritë e saj, ka tokën pjellore, ka njerëz të punës, me një përvojë të jashtëzakonshme, të cilët kanë ditur në një kohë fare të shkurtër të kthehen në pionierë të kultivimit dhe eksportimit të bimëve medicinale. Ka blegtorinë. Ka sipërmarrës të cilët kanë shkëlqyer në kushtet e ekonomisë së lirë të tregut.

E megjithatë sot, ajo që dëgjoj e vë re, nga këdo që takoj, sipërmarrës, biznesmenë, konsumatorë, studentë, apo qoftë edhe pensionistë, janë lajme të këqija. Lajmi i parë, largimi masiv i rinisë. Para dy muajsh isha në Hot, te dajat e mi. Ajo që pashë me trishtim të madh ishte mbyllja masive e shkollave, zvogëlimi i klasave për shkak të largimit të fëmijëve, së bashku me prindërit. Të njëjtën gjë më tha edhe këtu Gazmend Fili, në hyrje të Koplikut, që shet artikuj shkollorë. Gjimnazi i Koplikut ka zbritur nga 700 në 350 gjimnazistë. A ka gjë më të tmerrshme për një prind të ri, me fëmijë të vegjël, sesa të fillojë e të mendojë ditë e natë largimin nga qyteti i tij, largimin nga komuniteti i tij, braktisjen e shtëpisë e të katandisë. Asnjë vend tjetër nuk bëhet si vendi yt. Po pse nuk mundemi ne këtu, në vendin tonë të ndërtojmë me dinjitet, me punë,  me djersë, pa hile, një të ardhme të sigurtë, të krijojmë të mira ekonomike, të sigurojmë shkollimin e fëmijëve, një jetë me dinjitet, një jetë në komunitet ku nderojmë e respektojmë njëri-tjetrin?

Arsyeja është e thjeshtë dhe sot e ka kuptuar çdo shqiptar, e ka kuptuar gjithë bota. Sepse Shqipërinë, pasuritë e saj, pasuritë e saj përrallore, shtetin, çdo institucion, absolutisht nga policia, doganat, taksat, tek prokurimet, tek tenderimet, tek licensat, tek lejet, emërimet në administratë, gjithçka që ka të bëjë me aktivitetin ekonomik dhe shtetëror, sot i kanë futur në kllapa 5 njerëz. Edi Rama dhe një grusht njerëzish kontrollojnë gjithçka. Njësoj si trau i Rrugës së Kombit kanë vendosur trarë të padukshëm kudo, me anë të të cilave pengojnë që shqiptarët e ndershëm përmes punës, të futen edhe ata, të marrin pjesë edhe ata në ekonominë e vendit. Të punësohen, të konkurrojnë, të punësohen në administratë sipas meritës e sipas aftësisë, të punojnë tokën apo të merren me blegtori apo biznes dhe secili të çajë përpara sipas meritës, sipas garës. Sepse kjo është liria, kjo është ekonomia e tregut. Jo. Sot sado i aftë të jesh, sado punëtor të jesh nuk ecën dot përpara, po nuk i pagove rryshfetin, po nuk e ule zverkun, para bandave të gjobitësve, po nuk shkove dhe po nuk u bëre skllav i bajraktarit të radhës të “Rilindjes” nuk çan dot përpara.  Kjo nuk është demokraci, kjo nuk është liri, kjo nuk është Europë. E dëgjuat sot Kryefajtorin tek tha “njerëzit me mesatare 6 nuk do të futen në universitet”. Po ta dëgjosh kështu thua ndoshta ka të drejtë ky. Po kush je ti që u thua shqiptarëve me mesatare 6, apo 7 apo 8, apo 5 nuk futesh në universitet? Kush je ti?

Ta marrim pak shtruar, kush është ky? Ky është njeriu që u ka sjellë shqiptarëve banditët për deputetë. Ky është njeriu që u ka sjellë shqiptarëve përdhunues dhe trafikantë në krye të institucioneve të vendit, nga parlamenti tek bashkitë. Ky është njeriu që ka sjellë figurat më të korruptuara, që vjedhin miliona euro në ditë, në krye të institucioneve shtetërore. Ministra që në çdo vend tjetër të botës, edhe në Afrikë, duhet të ishin në burg, ky i emëron sekretarë zgjedhorë, si Damian Gjiknurin, hajdutin me nam, 3 milionë euro kilometri i autostradës në Fier, sepse e financon Banka për Rindërtim dhe Zhvillim, 20 milionë në Tiranë. Ja, ky është hajduti me 7 palë çizme i Edi Ramës. Pse? Se paratë i ndajnë me shefin dhe me kompanitë e tjera të korruptuara e të përfshira në afera të tilla, me të cilat vidhen paratë e shqiptarëve, të popullsisë më të varfër të Europës sot.

E pra, është fare e thjeshtë çfarë ka ndodhur. Edi Rama ka instaluar një diktaturë të re, jo më marksiste, komuniste, apo staliniste, por diktaturën e hajdutëve dhe të kriminelëve. Aty ku çan hajduti, aty ku çan krimineli, aty ku gjithë vendimmarrja është në duart e zuzarëve, nuk ka vend për njeriun e ndershëm, nuk nderohet puna e ndershme. Dhe kjo është arsyeja pse nuk gjejnë mundësi të rinjtë për punësim.
Pse nuk çan dot përpara biznesi i ndershëm?!
Pse në vend që qumshti dhe prodhimet e tjera të blegtorisë e bujqësisë shqiptare të dominojnë në tregjet tona, të dominojnë ato nga eksporti?! Sepse gjithçka kontrollohet nga 4-5 duar.
Miqtë e mi, beteja që kemi nisur nuk është thjeshtë për largimin e Edi Ramës. Jua them me bindje të plotë, e di unë, e di bota, e di Malsia e Madhe, e di dhe Edi Rama: ai ka mbaruar. 
Regjimi i Edi Ramës, është një regjim i mbaruar polikisht.
Prandaj vërtitet si zombie, si kufomë politike e se di se çfarë flet. Mendon se do tua marrë prapë mend shqiptarëve me barsaleta e batuta dhe me gojën e pisët. 
Ai është njeri i mbaruar politikisht. Regjimi i Ramës ka marrë fund në sytë e shqiptarëve dhe në sytë e botës. Beteja jonë është shumë më shumë sesa largimi fizik i Edi Ramës, i cili do të vijë shumë shpejt. Beteja jonë është për ta shembur regjimin që ai ka ngritur me themel, që nesër kryeministri i ardhshëm mos të rrethohet prapë nga 5 oligarkë dhe 5 banda që të bëjë ligjin nga jugu në very, na lindja në perëndim. Por që ekonomia shqiptare, universitetet shqiptare, bujqësia e blegtoria shqiptare, të funksionojnë në bazën e garës së ndershme, në bazën e konkurencës, në bazën e lirisë dhe mundësi për këdo që është dhe do të jetë në treg. Dhe ne e dimë se kjo funksionon. Nga e dimë? Sepse secili prej jush ka kushërinj në emigracion, apo jo?
Si ka mundësi që ata të ecin përpara, të shkojnë në një vend të huaj, me një gjuhë të huaj, me një kulturë komplet tjetër nga kultura jonë dhe të punësohen apo të hapin biznese në shumë raste dhe të ecin përpara dhe në vendin e tyre jo?! Sepse shqiptarët janë rracë punëtorë, rracë e mençur që gjithmonë ka ditur, mbi bazën e lirisë dhe mundësive të krijojë mirëqënie, të krijojë zhvillim, të krijojë përparim. 
Por me Edi Ramën nuk ka zhvillim, nuk ka përparim, nuk ka Europë, ndaj largimi i tij është emergjencë kombëtare, është akt i domosdoshëm patriotik për të cliruar vendin nga kjo darë duarsh të zeza dhe për të hapur derën e Europës. nuk ka për të pasur Europë, pa e çliruar vendin nga kjo bandë hajdutësh. Prandaj e kemi nisur sëbashku këtë betejë.
Prandaj dhe ne kemi patur dy mundësi: ose të ishim në krahët e banditëve, të atyre që vjedhin, dhunojnë, mashtrojnë, nepërkëmbin Malësinë e Madhe nga mëngjesi deri në darkë, ose të ishim në krahun tuaj. Vendimi u mor, mandatet u dogjën, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha janë në krahun tuaj dhe do të jemi në krahun tuaj deri në fitoren e kësaj beteje.
Lojra me lirinë e shqiptarëve, lojra me mundësinë e shqiptarëve për të krijuar mirëqënie nuk ka për të pasur më. Zgjedhje fasadë, zgjedhje lojrash që të vazhdojnë të mbajnë në pushtet kryehajdutin e Europës, Maduron e Ballkanit dhe bandën e tij, nga Malësia e Madhe deri në Sarandë, nuk ka për të pasur.
Prandaj letë vazhdojmë me kurajo betejën që kemi nisur. Historia e Europës, gjithë botës, dhe historia e vendit tonë, na tregon qartë se cili do të jetë fundi i kësaj beteje. Janë rreshtuar në një anë të gjithë shqiptarët e ndershëm që duan ndryshim. Po e përqafojnë ndryshimin edhe socialistët e zhgënjyer e të tradhëtuar nga banda e Rilindjes dhe kriminelët, hajdutët dhe mashtruesit që i ka vënë në krye.
Ejani miq!
Ejani vëllezër e motra ta përqafojmë të gjithë sëbashku këtë ndryshim të madh. Ta çlirojmë Shqipqrinë njëherë e mirë nga kjo bandë dhe të hedhim themelet e një shteti dhe një shoqërie me vlera europiane, ku vendos vota, ku ligji është i barabartë për të gjithë, dhe kur çdokush, nënë apo baba, i pasur apo i varfër, në fshat apo në qytet, i krishterë apo mysliman, toskë apo gegë, të ketë mundësinë të çajë vetëm përmes meritës dhe punës së vet. Ky është ndryshimi që kërkojmë, ky është ndryshimi që do të vijë.
Zoti e bekoftë Malësinë e Madhe!
Zoti i bekoftë malësorët!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Faleminderit!

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka nisur së fundmi një tur takimesh në të gjithë vendin. Ditën e shtunë ai ishte në Durrës, ndërsa turi do të vijojë edhe në qytete të tjera të vendit. 

Kujtojmë se më 13 prill opozita ka paralajmëruar protestën e madhe të rradhës para kryeministrisë. /Syri.net