Sociologu: Erion Veliaj, tip 'i shkathët' që mashtron/ Tirana një qytet i pajetueshëm

“Tirana është një qytet anormal dhe i pajetueshëm. Erion Veliaj para se të na prezantojë projekte duhet ta kthejë këtë qytet në normalitet. Edhe pse në disa zona janë bërë kënde lojërash dhe vende ku mund të frekuentohen nga të moshuarit, pranë tyre janë ndërtuar pallate”. 

Kështu u shpreh sociologu i njohur Ergys Mërtiri gjatë një interviste në Fax News.

Sipas tij, në një kohë kur Veliaj erdhi me premtimin se do të bënte moratorium me ndërtimet, pavarësisht se Mëritiri tha se po të ishte në vendin e tij nuk do ta bënte, duke argumentuar se nuk mund të pengohen ndërtimet, Tirana po betonizohet çdo ditë dhe më shumë.

Sipas socilogut, i cili shprehet se nuk është kundër ndërtimeve, këto duhen bërë në zona të veçanta dhe periferike.

Duke foluar rreth debatit mbi Teatrin Kombëtarë dhe rezistencës së artistëve prej më shumë se një viti për të mos lejuar shembjen e tij, Mërtiri tha: 

“Veliaj po bën rolin e njeriut të shkathët ndërkohë që bën mashtrime. Projekti për Teatrin nuk ka të bëjë me Veliajn në këtë rast, ky është një projekt i bërë nga Rama, ai ia hoqi kompetencat Bashkisë dhe duket që është një vepër korruptive. Nëse këto para i ndan Rama me oligarkët, pse duhet të dalë Veliaj dhe ta mbrojë duke marrë përsipër edhe kostot. Ky projekt ka nisur 20 vjet më parë nga Rama kur ishte Ministër Kulture dhe duket si një hakmarrje ku shprehet i vendosur se, o do ta bëj o s’ka. Veliaj nuk e ka këtë tipar, pra nuk shfaqet si hakmarrës, por del dhe i bën hije shefit”.

Duke komentuar edhe rikonfirmimin e Veliajt në garën për Bashkinë më të madhe në vend, si dhe qëndrimin që duhet të mbajë opozita ndaj tij, Mërtiri shtoi: “Rikandidimi i Erion Veliajt erdhi për shkak të kësaj devotshmërie. Një lloj aleance e fshehur, pavarësisht se nuk mund ta themi në mënyrë të drejtpërdrejtë e Ilir Metës me Erion Veliajn tregon se nuk ka arsye opozita të harxhojë energji duke u marrë me të”.

Sipas socilogut, shumica e projekteve të mëdha dhe aferave të mëdha korruptive në kryeqytet kanë të bëjnë me Ramën. 

“Në shumicën e rasteve kanë të bëjnë me projektet e Ramës, pavarësisht se edhe Veliaj nuk është i papërfshirë sepse Tirana po betonizohet dhe po bëhet një qytet i pajetueshëm. Veliaj ka një gjë ndryshe, Rama ka krijuar pakënaqësi edhe brenda PS-së ku ka shumë njerëz që rrudhin buzët, nuk munden ta shajnë, mbase disa kanë edhe frikë, por nga ana tjetër duke parë se Rama po qeveris jo me njerëz të PS-së por që i ka marrë si burokratë jashtë partisë, ka krijuar pakënaqësi tek socialistët të cilët kanë dalë në opozitë tashmë. Kështu do ti hedhin sytë nga Veliaj duke e parë si alternativë të mundshme, gjë e cila në një situatë të tillë të tensionuar politike, zgjidhjen mund ta shikojnë duke parë edhe nga Veliaj”, është shprehur Mërtiri.