Kukësi-Partizani, sot luhet sfida që vendos titullin kampion

Sot në orën 18:00 e gjithë vëmendja futbollistike në vend do të përqendrohet në “Loro Boriçi” ku do të luhet “finalja” e “finaleve” ndërmjet Kukësit dhe Partizanit.

Një ndër ndeshjet më të rëndësishme të sezonit ku pritet të vendoset edhe fati i titullit kampion për këtë sezon në Kategorinë Superiore.

Një duel, që deri tani është luajtur në largësi, verilindorët kanë të vetmen mundësi të mbetur për të rihapur garën për titull.

Partizani kryeson bindshëm me 53 pikë, 9 më shumë se verilindorët, e duke u besuar llogarive luan për dy rezultate në këtë transfertë, që e tillë ngjan edhe për ekipin e Ramadan Ndreut.

Nëse të kuqtë fitojnë, nuk do të kishte më dyshime për skuadrën që do të  ngrinte lart trofeun, edhe barazimi e “vret” në njëfarë mënyrë garën, ndërsa suksesi i mundshëm i Kukësit, duke marrë në konsideratë edhe një tjetër përplasje direkte në fazën e fundit, “do ta ndizte” rivalitetin.

Kryeqytetasit kryesojnë në përplasjet direkte 10 me 4 me fitore e 7 takime të tjera kanë përfunduar pa fitues, por është fakt që Kukësi, në “maratonën” e kampionatit, ka rezistuar me shumë, duke fituar një titull kampion.

Kjo sfide direkte, si rrallë herë, do t’i mungojnë shumë protagonistë për arsye më së shumti dëmtimesh, sidomos në kampin e kuq. Telushi, Rexhepi, Hebaj e Idrizaj janë mungesa të sigurta, Dilaver Duka është në dyshim, ndërsa Bardhi duket i riaftësuar në kohë dhe pritet të aktivizohet titullar.