Interesi kombëtar i ortodoksëve shqiptarë dhe rreshtimi anti-Ukrainë i kryepeshkopit Anastas

Nga Ilir Nikolla

Një surprizë jo e vogël ka qenë publikimi nga media të specializuara italiane i përgjigjes që Patriarku Bartolomeo i ka kthyer letrës së mëhershme të Kryepeshkopit të Shqipërisë Janullatos, lidhur me njohjen e kishave të reja autoqefale, në kohët e fundit. Edhe pse nuk përmendet në përgjigje, fjala është për Kishën Ortodokse të Ukrainës, e cila në tetorin e shkuar fitoi autoqefalinë, çka solli edhe një skizmë të Kishës Ruse me Patriarkanën e Kostandinopojës.

Edhe pse mund të duket si një debat teorik, debati mbi autoqefalinë e Kishës Ukrainase i përket nga afër rajonit, bile edhe popullatave ortodokse shqiptare në rajon. Formalisht, në Ballkan funksionojnë kishat disidente të Malit të Zi dhe të Maqedonisë, të cilat ende nuk janë njohur nga Patriarkana dhe një analizë se në ç’kisha do të falen besimtarët ortodoksë shqiptarë të Maqedonisë përshembull është një interes i drejtpërdrejtë kombëtar i shqiptarëve e rrjedhimisht një interes i presupozuar edhe i Kishës tonë Autoqefale. Në përgjigjen e patriarkut Bartolomeo, thuhet që në fillim se njohja e autoqefalive të reja ishte bërë “për të përmirësuar organizimin e brendshëm e jo për të ndarë, as për të ndryshuar kushtetutën e shenjtë e as për të krijuar konceptin fals të kishave lokale të vetëmjaftueshme (autoqefale)”.   

Citimet duket sheshit se janë akuza në formë pyetje që i janë drejtuar Patriarkut nga kryepeshkopi Anastas, një letër që ka bllokuar njohjen e autoqefalisë së Ukrainës nga kisha shqiptare, e cila njësoj nuk njeh as Kishën Ortodokse të Maqedonisë e as atë të Malit të Zi. Në përgjigjen e patriarkut Bartolomeo, publikuar nga mediat italiane, një paragraf i tërë drejtohet nga kritikët, për të cilët thuhet se “e kanë gabim nëse mendojnë se ky mekanizëm (njohja e autoqefalive të reja pra) është një proces tashmë i përfunduar në kohë të shkuara, meqë ai i ka pasur rrënjët në origjinë e kohë shumë antike”

Rreshtimi i fortë i kryepeshkopit tonë Anastas kundër çfarëdolloj autoqefalie të re, siç duket qartë në përgjigjen e Patriarkut Bartolome, 20 shkurtin e shkuar (publikuar së fundmi në mediat italiane) ka ardhur pa asnjë debat të brendshëm në Kishën Ortodokse Shqiptare e as në opinionin publik të vendit tonë. Kryepeshkopi Anastas ka të njëjtin qendrim me Kishën Ruse si dhe atë Serbe për çështjen e autoqefalive të reja dhe letra e Patriarkut e trajton Janullatosin si njëfarë zëdhënësi të këtyre qendrimeve brenda botës ortodokse.

Debatet teorike opinionit publik mund të mos i interesojnë shumë, por njohja e autoqefalive të reja në Ballkan është një interes kombëtar i shqiptarëve. Tashmë që me letrën e Patriarkut Bartolomeu qendrimi i Kryepeshkopit shqiptar është bërë publik, përgjigje të reja duhet të vijnë. Librat tanë të historisë janë të mbushur me përpjekjet e stërmundimshme të ortodoksëve shqiptarë për të pasur autoqefalinë e tyre, të cilën e shpallëm më 1922 dhe na u njoh nga patriarkana në 1937. Autoqefalia jonë u fitua në Kostandinopojë, por në fakt ishte një çlirim nga Kisha ortodokse e Greqisë. Njësoj sot, priftërinjtë ortodoksë të Malit të Zi po përndiqen nga Kisha Serbe si heretikë, ndërkohë që për ortodoksët shqiptarë është edhe më e vështirë të imagjinojmë se nën cilën kishë e në ç’gjuhë do ta dëgjojnë liturgjinë e shenjtë.  

Prandaj, pas letrës së patriarkut Bartolomeu, qendrimet e Kishës Ortodokse të Shqipërisë duhet të jenë sa më afër qendrimeve panshqiptare, dhe për këtë, duhet një transparencë tjetër në këtë proces si dhe një mesazh që duhet ndarë me publikun. Nëse kryepeshkopi ynë dëshiron të rreshtohet në krah të kryepeshkopit rus dhe atij serb, për çështje që kanë të bëjnë edhe me ortodoksët shqiptarë të Maqedonisë, publiku mbarëshqiptar duhet ta dijë. Edhe në qofshin në mes pengesa teorike e doktrinale, kryepeshkopi ynë duhet të na i bëjë të njohura.