A po (vetë) 'vritet' Ditmir Bushati…?

Gent Cakaj, ish-zëvendës i ish-ministri të jashtëm, Ditmir Bushati është hedhur në sulm dhe po sulmon Ditmir Bushatin. Gjithçka ka kryer Ditmir Bushati në krye të ministrisë së jashtme, po e sulmon për emërimet e bëra.

Për faktin se emërimet e bëra nga Ditmir Bushati kanë qenë klienteliste dhe deri nepotike. Po e sulmon për emërime të diplomatëve të paaftë dhe që nuk janë në gjendje të mbrojnë punët e qeverisë. E tjerë e tjerë.

Bushati ka heshtur dhe vazhdon të heshtë…të mos thotë qoftë edhe gjysmë fjale…

Bushati s’ka dalë as qetësisht të mbrojë punën e tij e jo më të akuzojë ish-zëvendësin e tij për kritika të padrejta e dashakeqëse që ai me siguri i mendon.

Bushati, ministri cinik e hazërxhevap sa herë që e kritikonte opozita apo Arta Dade është fshehur dhe nuk ka guximin të reagojë apo të thotë qoftë edhe një fjalë për punën e tij…

Ditmir Bushati, ministri arrogante kundërsulmues sa herë i vinin në dyshim veprimet, emërimet apo qëndrimet e tij, tani është bërë si “pulë e lagur” përballë sulmeve të Gent Cakajt…

Përse hesht dhe s’ flet Ditmir Bushati…?

Së pari mesa duket Ditmir Bushati e ka të qartë që sulmet janë të fabrikuara nga Rama dhe Gent Cakaj është vetëm zëdhënësi i tij…

Së dyti krijohet përshtypja se Ditmir Bushati po i pranon gabimet që po ja korrigjon Gent Cakaj…

Së treti mesa duket Ditmir Bushati ka frikë të reagojë se gjithcka ka bërë në Ministri që Gent Cakaj po ja stigmatizon si gabime, i ka bërë me kokën e tij dhe jo në konsultim me Ramën…

Së katërti po krijohet përshtypja se Ditmir Bushati ka frikë të reagojë ndaj sulmeve të Gent Cakajt duke menduar se reagimi do të zhyste më keq.

Së pesti Ditmir Bushati ndjehet i dobët dhe ka frikë se reagimi do të conte në largimin e tij nga partia.

Mirëpo qasja e heshtjes po e shtyn gradualisht Ditmir Bushatin drejt shuarjes. Drejt njollosjet së tij si drejtues klientelist dhe që ka shkatërruar shërbimin diplomatik. Drejt cilësimit të tij si individ pa shtyllë kurrizore që pret ta mëshirojë Rama…

Dhe kjo ndodh se Ditmir Bushati është i vetmuar e ka shumë pak vetë apo aspak që e mbështesin. Dhe për më tepër i ka jo miqësore e të dyshimta marrëdhëniet edhe me drejtuesin e ardhshëm Erjon Veliaj.

Rama e parapëlqen qasjen e heshtjes sepse kështu do të mund ta eliminojë butësisht e pa zhurmë atë. Ndërkohë që përplasja apo më saktë bërja publike e të vërtetës që ai mendon për punën e tij, ndonëse Ditmir Bushatit i duket ndoshta një opsion humbës, me siguri, tani që Rama është në largim e sipër, do të ishte e vetmja mundësi mbijetese për të…

Dhe për më tepër cilësimet qoftë edhe ledhatuese që i vinë nga opozita se ai do të jetë zëvendësuesi i Ramës, veçse e dëmtojnë Ditmir Bushatin në sytë e socialistëve që s’duan që individët që sulmohen nga Rama të ledhatohen nga “armiku” kundërshtar…

Rruga e heshtje është opsioni më i mirë që favorizon Ramën për të hequr qafe Bushatin të cilin gjithnjë e ka urryer dhe për më tepër është bërë xhind me të se s’i shkoi sipas avazit për çështjen e ndryshimit të kufijve në Ballkan, duke krijuar për më tepër përshtypjen se Ramën s’e duan gjermanët.

Ndërkohë që heshtja është opsioni më i keq për Bushatin sepse ai në realitet është opsioni i vetëvrasjes së tij, që Rama do ta dëshironte shumë sepse kështu e heq qafe me qetësi dhe pa zhurmë.