FOTO/ Një mal me prova, ja si vijnë në gjykatë dosjet e Saimir Tahirit

Ditën e sotme u zhvillua seanca maratonë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në ngarkim të ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Seanca me dyer të mbyllura nisi rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe u mbyll vetëm para pak minutash.

Tre prokurorët e çështjes Dritan Prenci, Vladimir Mara dhe Arenc Çela po bëjnë parashtrimet e dosjes voluminoze me 53 fashikuj. 

Organi i akuzës ka aq shumë dosje për ish-ministrin Tahiri sa është dashur një karrocë për transportimin e tyre.

Fotot e fashikujve voluminozë teksa transportoheshin me karrocë kanë bërë xhiron e rrjetit si për t’i dhënë rëndësinë maksimale mediatike, dosjes së vitit.

Ish ministri i brendshëm Saimir Tahiri është marrë si i pandehur nga Gjykata e Krimeve të Rënda për akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion.