Ish-Presidenti Nishani sqaron: Ja pse djali im la shtetësinë shqiptare

Ish-Presidenti Bujar Nishani, ka reaguar nëpërmjet një statusi në profilin e tij në facebook lidhur me lajmin e lënies së shtetësisë shqiptare nga djali i tij. Nishani ka sqaruar se djali i tij jeton prej 10 vitesh në Austri dhe duke qenë student i shkëlqyer i kanë kërkuar të jetë asistent pedagog.

Nishani ka sqaruar më tej se shteti austriak nuk e njeh dy shtetësinë, ndaj djali i tij është detyruar që për të qëndruar në shtetin austriak të heqë dorë nga nënshtetësia shqiptare.

Statusi i Nishanit

‘Të nderuar miq, sot media e propagandës së narkoqeverisë u përpoq të injektojë si lajm negativ, procedurën e lënies së nënshtetësisë nga djali im.

Im bir jeton prej afro 10-të vitesh në Austri dhe është aktualisht një prej studentëve të shkëlqyer në Universitetin e Mjekësisë së Vjenës, ku prej disa vitesh ka fituar edhe statusin e asistent/pedagogut.

Shteti Austriak i ka dhënë nënshtetësinë austriake por kanë rregullin që nuk lejohet dy shtetësia.

Unë jam shumë krenar për fëmijët e mi pasi vetëm më kanë nderuar dhe kurrë përfituar.

Turp dhe e papranueshme është t’i ushqesh fëmijët me para të vjedhura apo paratë e krimit të organizuar dhe jo kur nderojnë prindërit dhe këdo tjetër që është në nevojë për ndihmë.

Kuptohet se qëllimi i kësaj fushate propagande jam unë.

Regjimi i narkotrafikut dhe avoketërit e tij duket se paskan frikë prej aktivitetit tim qytetar. Kjo më kënaq në fakt.’-shkruan Nishani në postimin e tij.