Ambasadori i OSBE thotë se policia është asnjanëse në zgjedhje, po Rama ç'mendon?

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, i cili po bën gjithçka për ta paraqitur krizën e rëndë politike në vend pas vendimit radikal të opozitës për të braktisur parlamentin si ‘normalitet’, u shfaq sot në krah të drejtorit të Përgjithshëm të policisë Ardi Veliu.

Ai deklaroi, se është i bindur se uniformat blu do të jenë asnjanëse në zgjedhjet e radhës.

‘Jam i sigurt se sjella profesionale e institucioneve publike, duke përfshirë edhe policinë e shtetit mund të shtojnë tek njerëzit garancinë se vota e tyre me të vërtet është e vlefshme dhe se rezultatet përfundimtare pasqyrojnë vullnetin politik të të gjithë shoqërisë shqiptare.

Kam besimin se policia e shtetit do të jetë asnjanës në këtë proces kaq të rëndësishëm dhe do të sillet me profesionalizëm dhe dinjitet’, deklaroi pa mëdyshje Bernd Borchardt, gjatë aktivitetit për trajnimin e policisë me rastin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Kështu mendon dhe beson zoti Borchardt, por çfarë ka në mendje vetë shefi i madh i qeverisë dhe policisë bashkë, Edi Rama?!

Kujtojmë se në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, për të cilat ka fakte se janë blerë nga krimi i organizuar nën hundën e policisë, Rama urdhëronte të gjithë trupën policore në vend, që të mblidhte sa më shumë vota për PS-në.

‘I bëj thirrje të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit në momentin që lënë uniformën pas punës të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për Partinë Socialiste të Shqipërisë’, deklaronte kryeministrit i vendit në atë kohë, duke shkelur publikisht ligjin.