Lleshi i Ramës, Markut/ Heto Facebook e Berishës, kush e informon

Sandër Lleshi, i emëruar i Edi Ramës në krye të Ministrisë së Brendshme, kërkon që Arta Marku të hetojë Facebook e ish-kryeministrit Sali Berisha, për të mësuar se kush e informon atë, për publikimet që bën.

Nuk kishte ndodhur më parë që Ministria e Brendshme të kërkonte për të hetuar një faqe Facebook.

Sot Policia e Shtetit, nën udhëheqjen e Sandër Lleshit ka bërë publike kërkesën për të hetuar Facebook-un e ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me postimet e tij.

Policia thotë se këto janë shpifje dhe nuk është hera e parë.

Reagim i Policisë së Shtetit:

Policia e Shtetit konstaton me keqardhje se shtetasi Sali Berisha ka prodhuar dhe postuar në rrjete sociale në vazhdimësi shpifje të panumërta ndaj kësaj organizate ligj zbatuese.

E gjendur nën presionin e pandërprerë të një lumi shpifjesh nga ana e këtij shtetasi, Policia e Shtetit bën me dije se do të reagojë me kallzime penale, duke kërkuar zbardhjen shpejt dhe deri në fund të këtyre shpifjeve, nga Prokuroria.

Publikimet e këtij lloji tentojnë të ndërtojnë një fushatë të mirëfilltë linçimi publik, që ka qëllim të denigrojnë, delegjitimojnë, dekurajojnë dhe pengojnë punën e trupës së Policisë së Shtetit në shërbim të Kushtetutës, ligjit e qytetarëve.

Policia e Shtetit do ta adresojë në rrugë ligjore këtë tentativë të papranueshme dhe do të mirëpresë hetimet që do të provojnë bazën e çdo akuze nga ana e z.Berisha.

Kjo është e rëndësishme jo vetëm në respekt të opinionit publik, por dhe për vetë Policinë e Shtetit.