Këngëtarja shqiptare ndër më të suksesshmet në botë, pjesë e listës ‘Top 5’

Këngëtarja shqiptare, Ava Max është një nga emrat që sa vjen e po pëlqehet më shumë nga publiku me hitet e saj. Ajo tërhoqi vëmendjen me këngën ‘Sweet but Psycho’, e cila për një kohë të gjatë zuri vendet e para në listat e klasifikimeve.

‘Sweet but Psycho’ i ka lënë tashmë vend hitit më të ri të Ava-s, ‘So Am I’, i cili u publikua vetëm 2 javë më parë. Për herë të dytë, kënga e saj është bërë pjesë e ‘Top 5’ këngëve më të dëgjuara në Angli.

Këtë lajm e ka publikuar vetë këngëtarja në ‘Instastory’, duke e shoqëruar me disa ‘emoji’ zemrash për të treguar gëzimin e saj. Tani, të gjithë fansat shqiptarë dhe jo vetëm, janë në pritje të bashkëpunimit midis saj, Bebe Rexhës, Dua Lipës dhe Rita Orës.