Uzuni: Më vjen keq për Panuccin, nëse nuk fitojmë ndaj Andorrës jemi jashtë gare

Myrto Uzuni ka folur pas humbjes 2-0 ndaj Turqisë në “Loro Boriçi”.

Në një deklaratë për mediat, sulmuesi i Lokomotivës së Zagrebit analizoi humbjen ndërsa shprehu keqardhjen e tij edhe për largimin e trajnerit Panucci, njeriut që i dha mundësinë e debutimit dhe e aktivizoi titullar Uzunin.

“Kemi bërë një pjesë të parë deri diku e mirë. Na penalizoi fakti që nuk finalizuam rastet që krijuam”, tha fillimisht ai.

Pjesa e dytë, pse ajo lojë e dobët?

“Luanim në shtëpinë tonë dhe gjej rastin t’i falënderoj tifozët tanë që ishin të shumtë. Ai gol i dytë na penalizoi shumë. Donim të merrnim rezultat pozitiv, pasi luanim në fushën tonë”, vijoi ai.

Largimi i Panuccit – “Normalisht që ndihem pak keq, por ne luajmë për Shqipërinë dhe respektojmë çdo trajner. Nëse dikush jep në fushë, normalisht që do të luajë. Na kanë thënë që duhet të jemi të përqendruar dhe të punojmë mirë psikologjikisht. E mësuam sot në mëngjes largimin e trajnerit. Nuk dua të flas për këtë temë”, shtoi beratasi.

Ndeshja me Andorrën – “Kemi bërë një hap dje, këtë fitore e kemi detyrim. Nëse nuk fitojmë, atëherë jemi jashtë gare. Gara për vendin e dytë? Nuk ka mbaruar asgjë, ishte thjesht një ndeshje. E kemi detyrim që tani të fitojmë në Turqi”, përfundoi ai.