VIDEO/ Merr fund lufta për shtëpitë tek 'Petro Nini', pronari i tokës dorëzohet dhe bën pakt

Është arritur marrëveshja midis dy familjeve dhe pronarit të truallit pranë gjimnazit “Petro Nini” në Tiranë. Ata kanë nënshkruar përpara noterit që pranojnë dy hyrjet që i ofron fituesi i gjyqit mbi pronësinë e tokës.

E mori vesh e gjithë Shqipëria që halli nuk iu zgjidhej prej 23 vitesh. Pas gjesteve të pazakonta të dy familjeve të kryeqytetit që nuk lejon as përmbarim e as polici t’ua merrte shtëpinë, arritën një marrëveshje.

Në zyrën noteriale familjet Llapaj dhe Dervishi firmosin marrjen e hyrjeve të reja, njofton abcnews. “Familjes Llapaj i dhuron një hyrje 150 metra, familjes Dervishi i dhuron një hyrje 160 metra. Këta e kanë te Kopshti Botanik, ne e kemi te Liqeni i Thatë. ne kemi shpresuar të merrnim më tepër. Erdhi kjo punë deri këtu dhe jemi tek kjo pjesë”.

“Ne e kemi thënë që këto familje nuk do t’i lemë në rrugë dhe ja ku jemi këtu për të mbajtur atë premtim që zoti Gavoçi e ka premtuar disa herë me vite me radhë”.

Kushtet janë që familjarët do të largohen pasi apartamentet të jenë gati.

“Megjithatë ai ka shprehur dëshirën që nuk do i lërë me nga një hyrje, por do i gjenden pranë përsëri. E ka shpreh këtë dëshirë. Por aktualisht sapo të përfundojnë dy apartamentet që janë në shtrim pllakash, personat do lenë shtëpinë dhe do ikin me dëshirën e vet. Kështu që s’ka nevojë për policë, s’ka nevojë për përmbarues, s’ka nevojë për 100 mijë veta atje, për mashtrime dhe gjëra”.

Ndonëse pretendonin më shumë janë të kënaqur që i dhanë fund gjyqeve të nisura 23 vite më parë. Fajin nuk e shohin më tek njëri-tjetri, por tek shteti që sipas tyre duhet të shërbente si rregullator dhe jo nxitës i konflikteve. Gjithçka u mbetet për t’i thënë janë falenderimet dhe ndjesa.