Ish-ministri i Jashtëm; 'Ja pse deputetët e rinj nuk përfaqësojnë opozitën'

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, tashmë në rolin e komentatorit politik, duke analizuar situatën e fundit politike në vend tha se: “deputetët e rinj në Kuvend nuk përfaqësojnë opozitën dhe se protestat e opozitës reale duhet të shoqërohen edhe me artikulime në mënyrë që ndërkombëtaret të kuptojnë situatën.’

“Parlamenti është një ngjyrësh dhe spërkatja me bojë e Ralf Gjonit kjo është pjesë e spektaklit. I pëlqen qeverisë që ta quajë si opozitë të re deputetët që kanë marrë mandatin, por ajo nuk është opozitë. Mua si qytetar i këtij vendi më preokupon se çfarë bën opozita jashtë. Prezenca para parlamentit është tregues i pakënaqësisë dhe spostim i vëmendjes jashtë sallës plenare. Sot në protestë ishte një zemërim i madh. Këto protesta duhet të shoqërohen edhe me artikulime që ndërkombëtarët të marrin vesh se çfarë synojnë këto manifestime. Në të kundërt këto protesta nuk ia arrijnë qëllimit. Këta deputetët e rinj që janë brenda do kenë një nevojë për të afirmuar kapacitetet politike. Opozita brenda është politike, ndersa reale është opozita jashtë parlamentit”- tha Mustafaj për Neës 24. .

I pyetur mbi mundësinë e zgjidhjes së situatës politike si dhe rolit të ndërkombëtarëve, Mustafaj tha se nuk duhet të përjashtohet mundësia për dialog mes palëve, por opozita duhet të artikulojë kushtet.

“Arbitër duhet, por nuk shoh kushtet për t’u ulur në bisedime. Nuk mund të bësh politikë duke synuar demokracinë pa bërë dialog. Nuk përjashtohet opsioni i dialogut, por opozita duhet të ndërtojë dhe të artikulojë kushtet që do të zhvillohet ky dialog. Ikja e Ramës nuk përbën krijimin e rrethanave të nevojshme për të ndërtuar dialogun. Nëse ikën si kryeministër Rama, do jetë kreu i PS dhe në këto kushte je i detyruar ta pranosh. Një nga arsyet se pse opozita është në rrugë është se Rama ka refuzuar të bëjë dialog”- u shpreh më tej Mustafaj.