'Nga Parlamenti gjysmagjel te Meta që na kujtoi Pinoçetin, Qeverisë i punon vetëm…'

Dita e Enjte mbledh gjithë qelbin e javës kudo nëpër Shqiperi dhe e derdh pa mëshirë por meritueshëm mbi fytyrën tonë! Ti pret një selfie me sytë e bukur të një dite pranvere per të marrë atë energji që afron natyra me shkëlqimin e saj por ajo nuk mbërrin kurrë! Vend i një mijë bukurive me njerëz që e urrejnë të bukurën pat thënë agut të kohës me ofshamë Faik Konica “mësuesi” i Kryeministrit!Dielli shndrit e pak po nxeh si në epos por askush se ka mendjen aty tek sheh një parlament gjysmagjel të rrethuar me policë e përballë tyre mijëra protestues të Opozites tanimë jashtë tij përfundimisht! Një krizë e pazakontë ka mberthyer politikën e cila ditë pas dite po shndërrohet në sinozit kronik brenda  kokave të qytetarëve. Edi Rames nuk ka kush ti flasë!

Në PS dhe në “Rilindje” nuk paska bir a bijë nënë ti thotë atij “ndalu more se ke luajtur nga fiqiri “ ! Ministrat, deputetët, dinjitarët, veteranët kanë fshehur ballin mes veshëve të ngritur e vetullave të harkuara nga ankthi e nuk bëzajnë! Shoqëria është thyer në mes! Askush nuk po flet shoferit makina e të cilit po rrëshqet në humnerë e për të cilen na thuhet, plasni sytë se kjo është parajsa! Reagimet, protestat zënë njëra tjetren! Një vit pa u ndalur, artistët vigjëlojnë për të ruajtur teatrin e cili do të shëmbej për të ndërtuar klientët e qeverisë nja shtatë kulla të larta qamet! Prej katër a pesë muajsh banorët e unazës së re janë në barrikadë për të mbrojtur shtepitë e tyre!

Fytyra e qeverisjes aty tejkaloi edhe fantazinë. Një prej skandaleve më të mëdha u zbulua duke shënuar një rekord botëror babëzie, 20 milion euro për një kilometer rrugë! Dy muaj e gjysëm  mbushen rrugët dhe “pushtuan” fakultetet,  studentët të cilëve u tund në fytyrë të ashtuquajturin “Pakt për Universitetin” një dallmaç ky propagande që e ka tejkaluar edhe vetë projeksionin e “Rilindjes” në të genjyer pa turp, me shpejtësi dhe kurajo! Prej një muaji Opozita ka djegur mandatet e deputetëve të saj dhe kësisoj gjysma e popullit nuk është me i përfaqësuar !

Dy demonstrata të mëdha kanë zënë faqet dhe ekranet e mediave kryesore të botës! Shteti mbi ta ka hedhur gazlotsjelles dhe kjo lëndë kimike është karakteristika e mandatit të dytë të Edi Rames! Në Lushnje dje mijëra fermerë derdhën qumështin me të cilin jetojnë se nuk dinë ku ta çojnë sepse  represioni fiskal ndaj tyre është mbytës! Presidenti i Republikës nga Pogradeci bëri një deklaratë tronditëse dhe të pazakonte me disa lexime! Në skajet e asaj që tha shquhen dy gjëra që bëjnë me tepër përshtypje! Mundësia e dorëheqjes dhe krahasimi me Salvador Alliende Presidentin që u vra në pallatin Moneda të Santiagos teksa Pinoçeti po kryente grushtin e shtetit duke nënkuptuar se po vendoset një junte e cila qeveris me policë ! Sa do jetë gëzuar Edi Rama nga krahasimi por edhe mërzitur gazep nga mesazhi i koduar që ka marrë.

Ajo çka tha Ilir Meta u mor nga mbi 180 agjensi botërore bashkë me pikëpyetjet përkatëse mbi mungesën e normalitetit demokratik! Protestuesit e kësaj dite bojatisen me të kuqe, “gjaku i dëshmorëve’ siç thuhej rendom gjatë regjimit të kaluar deputetët e “opozitës së re” të cilet në fakt Edi Rama po i bojatis me të zezën e turpit! Ky grup që duartrokitet çdo ditë nga mazhoranca është treguesi që nuk lë medyshje i korrupsionit etik e jo vetëm të ulur këmbekryq mes nesh! Çfarë mjerimi “opozita e re”! Boja në xhaketat e tyre dëshmon sa e përfaqësojnë ata opozitën e vërtetë!

Një dosje me pergjime i ka treguar botës sa e goditur në legjitimitet është kjo qeveri! Prokuroria tanimë mashë në duart e Kryeministrit bën presion mbi Kryetarin e Opozitës Lulzim Basha! Gjykata kushtetuese nuk ekziston më. Mbi të tjerat ka rënë po ashtu damllaja! E vetmja industri që sot punon në vend është policia e cila administron jetën e përditshme nga njëra protestë në tjetrën të një populli që iken nga sytë këmbët! Zgjedhjet lokale rrezikojnë të mos bëhen! Kjo është panorama e një vendi për te cilin Kryeministri kërkon ti hapë muze rakie e vere per ta dehur ende më!

Të dehurit duhet të duartrokasin “normalitetin” e një vendi që po çmendet sepse një burrë është lidhur pas karrikes së Kryeministrit të cilën e merr me vete edhe kur fshihet. Ipeshkvi  Vinçenso Paglia kreu i Shën Exhidios së Romës një personazh i veshur me mister i njohur per misionet e tij të veshtira kudo që ka kriza erdhi në Tiranë! Takoi Metën, Bashën, Berishën dhe Erjon Veliajn! Kohë më parë mbi 23 vjet pat nxitur marrëveshjen Milosheviç-Rugova për arsimin, largimin e Rugovës nga Prishtina gjatë luftës, marrëveshjen Nano-Berisha etj! Ndoshta, Vatikani i cili Skënderbeun e parë e kishte shumë për zemer dhe e thërriste “atlet i Krishtit” po përpiqet në këtë moment që edhe Skenderbeun e ri ta sjellë në fe nepermjet “ekzorcistit” që zgjidh krizat !