Thirrja e protestuesve/ Nesër të gjithë para parlamentit, Lleshaj gjenerali i qeverisë së vdekur

Protesta e sotme e banorëve të Unazës së Re, u përkrah nga një numër i madh i ish-deputetetëve të opozitës, të cilët mbështetën protestuesit kundër projektit korruptiv të qeverisë Rama që kërkon tu prishë banesat.

Ish-deputetët e opozitës janë shtuar këto ditë në protestën e Unazës së Re edhe për shkak të pranisë së shtuar të policisë, e cila po rrit presionin kundër protestuesve.

Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu i quajti heronj protestuesit e Unazës së Re, ndërsa falenderoi qytetarët e Tiranës për mbështetjen madhështore që u kanë dhënë këtyre protestuesve.

“Sot këtu ishin mbledhur me qindra policë, por kur panë qytetarët, kur panë Sovranin që ishte mbledhur këtu, u larguan sepse nuk përballen dot me fuqinë tuaj, dhe siç e treguan sot do ta tregojnë nesër përballë parlamentit. Të gjithë bashkë për t’i treguar kesaj qeverie se kush e ka fuqinë në këtë vend. i bëj thirrje gjeneralit të qeverisë së vdekur, gjeneralit të qeverisë që ka ikur, që të largojë çdo presion, çdo tentativë dhune ndaj këtyre qytetarëve. i bëj thirrje çdo qytetari, që nesër të bashkohemi të gjithë bashkë tek Parlamenti, për t’u rikthyer parlamentin që ka vjedhur Edi Rama qytetarëve, që t’i rikthejmë dinjitetin institucionit të parlamentit”.

Ndërsa ish-deputetja Oriola Pampuri, tha se regjimi të Ramës po i vjen fundi.  

“Kur çdo diktatori i vjen fundi, mundohet të mbahet me kthetra deri në grahmat e fundit, por ne të gjithë bashkë nuk do ta lejojmë më, ne jemi të gjithë bashkë këtu për t’i thënë “largohu”. Ne duam një demokraci evropiane, në fakt një demokraci si ajo e Amerikës, prandaj jemi në rrugë sot, të gjithë bashkë, ndaj protestojmë e ndaj jemi qëndrestarë deri në fund.

Ne po u tregojmë ndërkombëtarëve se jemi qytetarë, paqësorë, kemi protestuar paqësisht sa herë kemi dalë në sheshe. Ne jemi qytetarë njësoj si qytetarët në Paris a gjetkë. Sot paradite këtu në Unazën e Re ka qenë Sandër Lleshaj, i cili urdhëron helmet, urdhëron policinë të turret mbi protestuesit. Sandër Lleshaj, Afrim Qendro, Damian Gjiknuri dhe Edi Rama në krye me ta, ta kenë të qartë se ne do të qendrojmë deri në fund, nuk do të largohemi dhe fati që i pret këta është vetëm burgu”- paralajmëroi ish-deputetja Oriola Pampuri.