Rrëfehet trajneri që la Shqipërinë për të jetuar në SHBA: Isha i detyruar

Hasan Lika largohet nga Vllaznia. Duket se “ëndrra amerikane” e ka detyruar trajnerin që t’i japë fund para kohe rrugëtimit 7-mujor në Shkodër.

Ai dje ka kryer të fundit stërvitje me ekipin dhe ka bërë gati valixhet për të lënë fillimisht qytetin dhe më pas të marrë avionin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një vendim i marrë me shumë vështirësi dhe sidomos kur dihet që atje nuk është se e pret i njëjti profesion.

Në një rrëfim për “Panorama Sport”, 59-vjeçari thekson se nuk donte që të ikte pa zhvilluar edhe ndeshjen me Besëlidhjen, mirëpo shtyrja e kampionatit i prishi planet.

Hasan Lika lë Vllazninë për Amerikën, sa i vështirë ishte ky vendim?

Shumë i vështirë, por isha i detyruar për motive familjare. Megjithatë, më duhet të falënderoj klubin që më mirëkuptoi.

Tani na tregoni pak të vërtetën, keni fituar lotarinë apo…?

Nuk ka lidhje me këtë pjesë, kam gati 15 vite që presim bashkimin familjar dhe m’u desh që të ikja pikërisht tani, pasi në fund të marsit më skadon edhe afati. E kisha menduar që të nisesha në fakt në datën 27, pasi të luaja edhe ndeshjen me Besëlidhjen, e cila mund të mbyllte njëherë e mirë edhe llogaritë me ngjitjen. Por shtyrja e kampionatit më kushtëzoi që të merrja një vendim të tillë.

Pasi të shkoni atje, keni në plan që të merreni sërish me trajningun apo ka ardhur koha që t’i dhuroni vetes disa pushime të mira?

Dëshira është që të vijoj pasionin tim edhe atje, por e di fare mirë që nuk po na pret kush “krahëhapur”. Do isha i lumtur që të ingranohesha qoftë edhe më fëmijët, por të shohim. Megjithatë, në Amerikë nuk po shkoj për të pushuar, por për të punuar.