Ja dy klanet në PS që po luftojnë për Prokurorin e ri të Përgjithëm

Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi sot zyrtarisht garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata.

I ftuar në emisionin “Mbrëmje Ide” në Abc News, ai paralajmëron se brenda Partisë Socialiste po bëhet luftë e brendshme pasi ka dy klane, njëri që mbështet kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku dhe njëri që mbështet persona të tjerë.

“Po nguten të zgjedhin Prokurorin e Përgjithshëm përpara se të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ka një luftë të brendshme se kush do jetë kryeprokuror, dhe ka një klan që mbështet Arta Markun. Ai që fitoi me zotin Rama dhe e vendosi në mënyrë të kundraligjshme. Ka një klan tjetër që do persona të tjerë dhe po bëhet luftë e tmerrshme por që ne e shohim si gati me përbuzje që tregon pikën e fundit ku ka shkuar mazhoranca”, u shpreh Gjata.

Ai shtoi gjithashtu se, KLP është e paligshme, pasi disa nga anëtarët e përzgjedhur janë kundërshtuar nga ONM-ja.

“KLP ndodhet në një gjendje paligjshmërie. Aty janë zgjedhur anëtarë të paligjshëm të kundërshtruar nga ONM. Janë zgjedhur anëtarë që nuk kanë marrë nga dokumenti Autoritetit i Pastërtisë së Figurës ku prokuroria e kishte pranuar anëtar pa marrë një dokument. Një anëtare është shkarkuar nga KPA. Të tjerë janë në KPA mund të pësojnë të njëjtën fat. Sikur ti lemë këto kemi një situatë të zgjedhur 5 nga parlamenti dhe 4 nga konferenca e prokurorëve që vjen në kundërshtim me Kushtetutën se kur u bë u tha që këto organe do të vetëqeverisen, prandaj ka shumicën e prokurorëve në KLP. Të ka rënë kolona bazë e këtij institucioni nuk mund të vazhdojë pa u plotësuar”, sqaroi juristi i selisë blu.

Perveç Arta Markut në garë për kreun e organit të akuzës janë edhe : Olsian Çela, ish drejtuesi i ‘Krimeve të Rënda’, i njohur edhe si prokurori i laboratorit të kokainës në Xibrakë, Adnan Xholi, ish-kryeprokuror i Krimeve të Rënda dhe aktualisht prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, Enrik Ligori, Besnik Muçi, Ervin Kondili.

Lidhur me garën reagoi më herët edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili akuzoi kryeministrin Rama se po vendos në krye të Prokurorisë të afërmin e Ina Ramës, Olsian Çelën.