Migjen Basha: Me Turqinë ta nisim si në eliminatoret e EURO 2016 me Portugalinë

Migjen Basha ishte një nga futbollistët e përzgjedhur për të dalë para gazetarëve, në konferencën për shtyp të ditës së dytë të grumbullimit të Kombëtares shqiptare.

Mesfushori foli me superlativa për atmosferën në ekip dhe konkurrencën pozitive, ndërsa pranoi se skuadra po punon për të marrë maksimumin nga dy ndeshjet e para.

Atmosfera është mjaft e mirë dhe po përgatitemi seriozisht, duke i dhënë seriozitetin maksimal ndeshjes së parë. Edhe në Euro 2016 shkuam pasi morëm një fitore në ndeshjen e parë në Portugali (0-1). Është e vështirë, pasi kemi një kundërshtar shumë të fortë, por do të luajmë për 3 pikë”, tha mesfushori.

Në lidhje me shanset për kualifikimin në Europian, Migjen Basha deklaroi: “Shanset janë për të gjithë skuadrat, pasi futbolli ka ndryshuar dhe nuk ka shumë diferencë mes ekipeve. Nuk duhet të nënvlerësojmë as ndeshjen ndaj Andorrës, pasi nuk mund të fitojmë me lehtësi. Na duhet edhe pak fat, por duhet të bëjmë më mirë për të shpresuar te kualifikimi”.