Vrasja në kazino/ Polici grabitës qëlloi për vdekje rojën, arrestohet. Emri

Një grup grabitësish kanë shkuar të dielën në mëngjes në një kazino në Suharekë. Plani për plaçkitje, si duket nuk kishte shkuar siç e kishin menduar hajdutët. Gjithçka devijoi deri në të shtëna me armë, për ta lënë të vrarë një punonjës të këtij lokali.

32 vjeçari Jetmir Aliaj, punonjës i një kazinoje në Suharekë, mbeti i vrarë me armë zjarri dje në mëngjes. Ngjarja ndodhi në vendin e tij të punës, derisa një grup personash kishin hyrë brenda për të kryer plaçkitje.

Plumbat në trupin e tij po dyshohet se i zbrazi një rreshter policor, që tashmë është arrestuar nga Policia.

Zyrtari I policisë në fjalë nuk ishte aty për ta mbrojtur Jetmirin nga plaçkitësit.

Përkundrazi Shefki Spahiu, emri i policit, dyshohet se ishte njëri prej tyre që tentuan të kryejnë vjedhjen që përfundoi me fatalitet vrasjne e rojes së kazinosë.

I arrestuari

Mediat kanë mësuar përmes burimeve, se informacionet e para që ka hetuesia në Prizren, në lidhje me këtë rast, tregojnë se viktima ishte qëlluar për vdekje nga i dyshuari pasi kishte arritur ta identifikonte atë, ndërkohë që ishte me tre persona tjerë dhe po kryente plaçkitjen brenda kazinosë.

Por, kjo nuk del të jetë hera e parë që rreshteri policor Shefki Spahiu të dyshohet për vepra penale. I njëjti, edhe kohë më parë ishte përballur me dyshime për një rast dhunimi. Ai për këtë ishte përjashtuar nga Policia e Kosovës, por që më pas ishte kthyer në vendin e tij të punës.

Se një zyrtar policor është i dyshuar për vrasjen në Suharekë ka bërë të ditur vetë Policia e Kosovës, të dielën përmes një konferencë.

“Në bazë të provave materiale, viktima është J. A. nga fshati Mushtisht. Kemi ardhë në përfundim se i dyshuari i vetëm është një zyrtar policor, rreshter në veri të Prizrenit me iniciale SH.S. Policia ka bërë kontrollin në shtëpinë e tij dhe më pas është arrestuar”, u tha nga Policia, gjatë konferencës që u mbajt në Prishtinë.

Viktima

Polcia ka njoftuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, derisa do të dalë para gjykatës e cila pritet t’i caktojë masën e sigurisë.

I riu Jetmir Aliaj është viktima e dytë e vrarë të dielën në Suharekë. Në një fshat të kësaj qyteze, të njëjtën ditë, ka ndodhur edhe një tjetër vrasje për motive krejt të ndryshme. Një 64 vjeçar dyshohet se u qëllua për vdekje nga vëllai i tij 72 vjeç, për shkak të një kontesti pronësor.