VIDEO/ Salianji: Nuk është protestë për pushtet, por ndryshim të sistemit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, pranoi se ndryshimi që kërkon të sjellin protestat e opozitës shkon përtej përfitimit politik.

‘Nuk është një protestë për pushtet, por për ndryshim të të gjithë sistemit politik. Besueshmëria e qytetarëve ndaj aktit të dorëzimit të mandateve tregon që ka qenë i drejtë.

Kjo mund të prekë edhe një pjesë nga ne, por kjo do të përkthehet në ndryshime pozitive për shoqërinë’, tha Salianji në studion e A2 CNN.

‘Presioni tanimë nuk është vetëm drejt shumicës, por edhe drejt opozitës që duhet të japë propozime për platformën e së nesërme’.

Sipas Salianjit, fakti që në protestë ishin edhe media prestigjioze të huaja tregon se drejt Shqipërisë është kthyer edhe vëmendja e ndërkombëtarëve.

I pyetur nëse opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, Salianji nuk përjashtoi asnjë mundësi.

‘Nuk besoj se do të ketë zgjedhje me Edi Ramën, kështu që nuk besoj se prioriteti sot janë zgjedhjet lokale, pavarësisht se ne jemi duke marrë masat e duke u konsultuar me anëtarësinë për të pasur jo vetëm kandidatë, por edhe platforma’, shtoi ai.

‘Edhe me zgjedhjet e vjedhura të vitit 2017, nëse bashkojmë votat PD, LSI, PDIU ne jemi 52% edhe pse nuk përfaqësohemi në Kuvend’.

Në lidhje me deputetët e rinj që janë ulur në krahun e opozitës në Parlament, Salianji tha:

‘Një pjesë e tyre kanë punuar haptazi për Partinë Socialiste dhe nuk mund të jenë opozitë. Të tjerët e besojnë kauzën tonë, por kanë marrë një vendim që nuk i shërben interesit publik dhe nuk respektojnë vendimet dhe strukturat e partisë.

Besoj që do t’i thërrasin arsyes dhe do të reflektojnë. Nuk dua ta besoj që, të paktën ata që kemi pasur kolegë, të kenë arsye tjetër përveç mendimit ndryshe’.