FOTO/ Shqipëria me lojtarë nga Bayern Munchen dhe Chelsea

Trajneri i Shqipërisë U-19, Nevil Dede, ka shpallur zyrtarisht listën e lojtarëve të grumbulluar për debutimin e tij në stolin e kuqezinjve të vegjël, ndërsa është shprehur se ky grumbullim do të shërbejë më shumë si një mundësi për të parë nga afër lojtarët.

Do të jenë 26 emra për vetëm një ndeshje miqësore, atë ndaj Maqedonisë së Veriut që do të zhvillohet në datën 24 mars në stadiumin Skënderbeu në Korçë.

Ajo që bie në sy në 26 të grumbulluarit e Dedes ka edhe lojtarë të Bayern Munchen dhe Chelseat.

“Kemi parë nga afër shumë lojtarë, në vendin tonë, në Itali dhe rajon, Kemi parë edhe në Angli. Është një proces vëzhgimi lojtarësh. Kemi marrë 26 lojtarë, një numër i madh. Por ka lojtarë që janë të dyzuar të zgjedhin dhe jemi të detyruar t’i marrim para kohe.

Ka interesim të madh. Procesi i formimit të lojtarëve ka si qëllim furnizimi i ekipit të parë. Puna është kolosale, nga i gjithë stafi. Deri diku jemi në rrugën e duhur. Kam akoma lojtarë që nuk i kemi parë, në Gjermani, Zvicër dhe vendet nordike. Nuk kemi informacion të plotë për ta, por do i vlerësojmë.

Lojtarët që kanë ardhur nga Anglia erdhën në Shqipëri t’i shihnim nga afër. Jemi të kënaqur prej tyre. Nuk do të thotë se një sulmues i Chelseat apo i Bayernit janë të avantazhuar. Prengaj e Muçi mund t’i parakalojnë me kalimin e kohës”, deklaroi tekniku Nevil Dede në konferencën për shtyp.