Tani që është lakuriq, mund të shohim darën që i ka kapur allatet!

Që pas protestës së 16 shkurtit, e cila ishte padyshim një nga më të mëdhatë e këtyre 29 viteve pluralizëm, Edi Rama, po përpiqet që gjithë atë mllef popullor të derdhur në shesh, t`ja faturojë kujt të mundet, por vetëm vetvetes jo.

Deri të nesërmen e 16 shkurtit kryeministri fliste për një front të së keqes, PD-LSI, i cili kërkonte të pengonte dhe të zhbënte punët historike të qeverisë së Rilindjes, e cila është shndërruar papritur sërish në Parti Socialiste.

 Por pasi opozita shembi vetveten si fasadë parlamentare dhe i specifikoi kërkesat e saj, duke e lidhur ndryshimin e situatës, edhe specifikisht me emrin e Edi Ramës, një strategji tjetër u fut në lojë prej tij.

Kështu kur ezauroi teza qesharake të tipit, ‘dorëzuan imunitetin, se kanë frikë nga drejtësia’, ‘nuk fitojnë dot zgjedhje, as për 100 vite’, ditët e fundit ka nxjerrë nga mënga ‘asin’ gjeopolitik; atë të një konspiracioni mes disa fuqive të huaja (nënkupto Rusia) dhe opozitës shqiptare, për të rrëzuar pro-perëndimorin më të madh të rajonit e më gjerë!

Në fakt historia është shumë e thjeshtë; Rama akuzohet me fakte, se në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe biznesmenë klientë të buxhetit të shtetit, ka vjedhur zgjedhjet. Me pushtetin e madh që morri pas kësaj grabitje masive të votës, kapi çdo pushtet, po grabit Shqipërinë e tundshme e të patundshme dhe po e shndërron vendin në një bazë legale të krimit të organizuar.

Edhe një lavatriçe gjigante të parave të zeza, njëkohësisht, duke e projektuar të ardhmen e ekonomisë shqiptare, si një bombë me sahat. Dhe për këtë është kapur me presh në dorë, të paktën sipas dy dosjeve hetimore të cilat kanë dalë pjesërisht nën dritë, 339 dhe 184.

Qoshja ku ka ngecur, Edi Rama, në këtë ring të ashpër politik është e ngushtë sa një vrimë miu, sepse në mënyrë të zgjuar opozita, mjaft opinion bërës, por veçanërisht njerëzit e thjeshtë; socialistë, demokratë LSI-stë e ajo shumicë gri e paangazhuar, tashmë e kanë ndarë qartë atë dhe organizatën e tij politiko-kriminale që e ka pagëzuar me emrin ‘Rilindje’, nga PS-ja.

Prandaj ditët e fundit nuk po dëgjojmë në artikulimin e tij më fjalën ‘Rilindje’, por vetëm Partia Socialiste, e tërci e vërci.

Pasi u kap në mashtrim e në një pozicion qesharak duke deklaruar nëpër mediat italiane, se ‘protestojnë vetëm disa mijë veta nga 4.2 milion banorë që ka rezidentë Shqipëria’ (në fakt sipas të dhënave të INSTAT, 1 Janar 2019, janë vetëm diçka më shumë se 2.8 milion), kur kuptoi se fushatën elektorale që ka nisur nëpër Shqipëri mund ta bëjë vetëm duke veshur anti-plumb dhe torturuar Policinë e Shtetit e cila po e shoqëron me operacione speciale, ka thirrur në ndihmë Rusinë.

‘Ka shumë tregues që flasin se pas protestave kundër qeverisë në Tiranë është aksioni i fuqive të huaja’, deklaroi ditën e djeshme për gazetën ‘Libero’, pa ju dridhur asnjë fije qerpiku, e pa ju skuqur asnjë prej poreve të lëkurës.

Me pak fjalë opozitën shqiptare, atë të një vendi anëtare të NATO-s (Ku edhe u fut, kur ajo ishte në pushtet!) e urdhërojnë dhe e sponsorizojnë fuqi të huaja anti-perëndimore, pra Rusia më saktë.

Nëse kjo do të ishte e vërtetë, kur dolën dhjetëra mijë protestuesit e 16 shkurtit,  ata përpara parlamentit, në Lezhë, Shkodër, Fier etj, nuk do të kishim parë policët e Lleshit, por forcat speciale të NATO dhe marinsa amerikanë, siç ndodhi me grushtin e dështuar të shtetit në Mal të Zi. Por do ishin edhe pas Ramës, 24 në 24 orë, për ta ruajtur nga ndonjë atentat i mundshëm (Mos harroni se u kujdes vetë me foton e shpërndarë, që të dukej qartë jeleku antiplumb që mbante) nga veglat e shërbimit sekret rus, që në Shqipëri qenkan edhe front opozitar!

Kurse Basha, Kryemadhi dhe dhjetëra ish-deputetë të opozitës, ndërkohë do të ishin duke ‘u këshilluar’ me metodat speciale, që i dinë vetëm ata.

Po ditën e djeshme kur Rama fliste në gjuhë të huaj, se ‘fuqitë e huaja’ qëndrojnë prapa protestave që nuk ndalen, kreu i SHISH, Elidon Bendo, për të njëjtën çështje fliste shqip në Kuvend.

I nxitur nga deputetët e Ramës që të tregonte, nëse ndikimi rus kishte mbërritur apo jo deri në nivelet e larta të politikës shqiptare (d.m,th, Basha, Kryemadhi, Berisha etj), ai tha vetëm; Jo, SHISH nuk ka informacione të tilla.

Djalë i zgjuar Bendo, (Sa do që i ka borxhe Ramës) i cili nuk harron se në institucionin që drejton, për këto lloj çështjesh ka një zyrë të mirë organizuar me amerikanë e partner të NATO.

Tani pyetjet që shtrohen janë shumë të thjeshta për tu dekriptuar, sepse janë retorike.

 Me dashje apo jo, kush po çon ujë në mullirin e Rusisë; Edi Rama apo protestat që kanë kapluar Shqipërinë, qoftë edhe të organizuara nga një opozitë që ka mëkate me thasë (të bëra kur ka qenë në pushtet ndaj këtij populli); që nga korrupsioni, degjenerimi i zgjedhjeve si bashkë-administratore, e plotë ‘thasë’ të tjerë?!

Rama i cili po del zbuluar dhe po shënjestrohet si i tillë, edhe nga amerikanët pas gjermanëve e britanikëve, si bashkë-ideator dhe bashkë-planifikues në lojën e rrezikshme jo vetëm rajonale, serbo-ruse, për Kosovën?!

Rama që paracakton rezultatin e zgjedhjeve, njësoj si Putin në Rusi, së bashku me grupime të strukturuara të krimit e trafiqeve ndërkombëtare, si dhe ato ekonomiko-financiare, të maskuar si biznesmenë të mëdhenj?!

Rama që u ka dhënë rusëve dhe spinofeve të tyre ‘biznesmene’ nëpër parajsa fiskale, naftën, akses pa limit në sektorin e pronave të paluajtshme dhe së fundmi edhe në atë bankar?!

Rama që njësoj si Putin, andej nga është, e quan opozitën rrezik kombëtar dhe bën çdo gjë, për ta përçarë, blerë dhe zhbërë?!

Rama që njësoj si putinokracia, nuk ngopet duke përqëndruar në grushtin e tij çdo pushtet, institucion dhe pasuri?!

Kujt i intereson mbajtja e kësaj statukuoje 29 vjeçare e Shqipërisë, gjithmonë bombë me sahat; pa votë të lirë, pa shtetarë e politikanë të ndëshkuar; me krimin e korrupsionin në parti, parlament, administratë e qeveri; me një grusht biznesmenësh që pasurohen në mënyrë të frikshme, por nuk bëjnë asnjë investim të saktë prodhues e të hapin vende pune; me qindra mijë që ikin jashtë vendit, e me 90% të gjithë popullsisë së aftë për punë e shkollë, që planifikon e ëndërron vetëm të njëjtën gjë?!

Mirë këta ‘protestuesit profesionistë’ të opozitës nuk e duan Ramën për llogari të Putin, po studentët, minatorët, biznesi i vogël e i mesëm, mjekët, mësuesit; shtresa e mesme e ajo pak klasë intelektualësh e artistësh e mbetur, e cila tallet nga biznesmenë të tipit Fusha; mbi të gjitha ajo shumicë e varfër e cila lëngon deri në atë pikë sa që nuk ka as fuqi të protestojë, lojën e kujt bën?!

Rreth një vit më parë një shkrimi, ku përpiqesha të zhbiriloja arsyet e luftën titanike të Ramës si individ për të mbajtur pushtetin me çdo kusht (koha e Çadrës), ja vura titullin;  Edi Rama ul edhe pantallonat, nëse i kërkohet!

Sot duket se nuk po i kërkohet që të bëjë këtë gjë, sepse tashmë është lakuriq dhe nuk ka çfarë të ul, por pyetja është:

Kush po i kërkon Edi Ramës, që të simulojë një ‘luftë të ftohtë’ në Shqipëri, e cila synon të krijojë perceptimin te ndërkombëtarët, se populli shqiptarë rrezikon, që të përçahet, në anti dhe pro-perëndimorë, ndaj ai duhet parë si stabilo-krat, pavarësisht se është krimo-klepto-krat?!

Natyrisht jo putinokracia (ajo fërkon duart, pa dyshim), por tani që është lakuriq, mund të shohim më qartë se kush ja ka kapur allatet me darë!

 Mjafton që të hapim defterët e rritjes qiellore financiare të një grushti ‘biznesmenësh të mëdhenj’, e çfarë dosjesh mban peng Arta Marku dhe mund ta kuptojmë, se KUSH po e luan këtë kartë të fundit, për të mbajtur Ramën në pushtet.

 Kartë që mund edhe ti vërë zjarrin vendit, siç shpreson e ëndërron Rusia e Putin!