Spalletti në hall të madh, ka vetëm 11 lojtarë për sfidën me Frankfurtin

Krizë e pashembullt dëmtimesh dhe skualifikimesh për Interin, i cili do të duhet të shpresojë që të mos ketë probleme të tjera deri të enjten, kur të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Eintraht Frankfurtit në Ligën e Europës.

Zikaltrit kanë marrë një barazim 0-0 në sfidën e parë dhe shpresojnë që në shtëpi të arrijnë të sigurojnë kalimin për në fazën tjetër të turneut.

Spalletti ka në dispozicion vetëm 11 lojtarë, përveç tre portierëve, nga grupi i parë i futbollistëve, me lojtarët e akademisë që do të mbushin pankinën në këtë duel vendimtar për një turne të cilin zikaltrit kanë filluar ta shohin gjithnjë e më shumë me interes.

“Do gjejmë zgjidhje, ndoshta mbrojtjen me tre lojtarë”, tha Spallteti për këtë situatë të pazakonte.

Në Itali janë të sigurt se i referohej Skriniar, i cili mund të kalojë në mesfushë ku ka luajtur shpesh me përfaqësuesen e vendit të tij.

Ndërsa në një krizë të tillë, nuk janë të paktë ata që mendojnë se sinjali i vërtetë i dashurisë së Mauro Icardit ndaj Interit do të ishte pikërisht kthimi i tij për këtë sfidë, edhe pse në pankinë.