Jeleku antiplumb, sa hije të paska ...

Dje shumë media dhe portale shfaqën një foto të udhëheqësit tonë të madh që fliste nga Roskoveci me aq veneracion sa pejzazhin atje e thirri Toskanë.

Ka disa kohë që i është shtuar euforia. Fierin e quan Amerikë e prit kur Karbunarën të na e nxjerrë Karaibe. Nuk i dridhet fare qerpiçka. Kjo foto e kapur nga prapa tregonte se Ramë trimi na mbaka një jelek antiplumb që dukej ashiqare më i trashë se sa një kapot që i vendoset banesës si termoizolim. Dhe mirë ka bërë garda. Se atdheu ka plot armiq që nuk na duan të mirën dhe synimin aty e kanë,te udhëheqësi.

Qoftë larg dhe po lëviz vendit. Ndërkohë,dje e pamë të gjithë dramën e atyre familjeve te “Petro Nini” që u rrethuan nga dhjetra e dhjetra policë se duhej prishur patjetër shtëpia. Aq gatishmëri kurrë nuk ishte ndeshur në shtetin tonë plot me halle. Madje edhe qarkullimi u bllokua dhe lagjet pértej liqenit shkonin në shtëpi duke i rënë nga Sanatoriumi ose Pallati me Shigjeta. Nuk e di procedurën e atij konflikti.

As nuk mund të jap të drejtë palës që e mbron apo asaj që e prish. Por kur po mendoja Ramën me jelek plumbi mbérthyer dhe i mbrojtur nga çdo kërcënim që do i sjellë armiku dhe moj,m’u shpif e m’u neverit policia,ministri Lleshi e gjithë qeveria e hajdutëve. Po si nuk pashë aty afër një psikolog,një mësues,një edukator. Si nuk menduat pér ta kur fëmijët i hiqte polici zvarrë dhe kur nëna shtatzanë mbrohej nga goca e saj e vogël.

A nuk ishte ai inskenim tamam si filmat me pushtues dhe me gjermanë e nazistë. Që nuk duan t’ja dinë pér të mitur e pér fëmijë,por i shtyjnë sa andej këndej e pér traumat që u shkaktojnë nuk i plas kujt. O njerëz mizorë veshur me blunë e policit! Gratë e fëmijët trajtohen ndryshe dhe në qoftë se janë të dhunshëm.

Vetë jeni prindër vereni veten në rolin e atyre të mjerëve. Kur mendoni për jelekun e kryeministrit,mos harroni për lulet dhe psikologun që duhet të keni me vete. Se në atë dramë të djeshme,mes bulevardit,të pafajshëm ishin veç fëmijët. Këtë e di dhe bufi,por ende nuk e kanë mësuar policët e Llesh Helmit. Dje sikur u xhirua një film lufte. Një film real. Nazistët rrahën gra dhe fëmijë.

Do vijë një ditë fitorja e mjerë ata që u morën me kalamajtë. Se ligji rri zgjuar. Ministri fle...? ?